“Nëse teatri ka vdekur, rroftë teatri”, ka qenë ky slogan i shkruar në 27 mars 1962 nga dramaturgu dhe poeti francez Zhan Kokto. Ishte i pari mesazh që në atë ditë do të njihej si Dita Botërore e Teatrit, e cila përkujtohet ndërkombëtarisht çdo vit në këtë ditë, transmeton Portalb.mk.
Kjo është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror-INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.
Xaka Jonuzi Çeliku drejtoreshë e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup për Portalb.mk tha se pikërisht në këtë ditë inkurajojnë çdo regjisor dhe autor të sjellin ngjarje sa më të guximshme, sa më të dukshme që të godasin sa më fuqishëm te publiku.
“Dita Botërore e Teatrit është dita që shënohet nga të gjithë artistët në mbarë botën. Në këtë ditë jepen mesazhe të ndryshme nga skena të ndryshme të kulturave të ndryshme, vetëm e vetëm për ta nënvizuar rëndësinë e asaj që thuhet në skenë, asaj që shkruhet dhe asaj që është aktuale. Po ashtu, në këtë ditë ju jepet rëndësi edhe komponentave të tjera pa të cilat teatri nuk do të ishte i plotë, qoftë skenografia, muzika, kostumografia dhe bashkëpunëtorë të tjerë”, tha Jonuzi Çeliku.
Ajo shtoi se teatri si i tillë, u jep zë shumë fenomeneve të ndryshme, me arsyen që t’i trazojnë disa çështje, ku pikërisht në këtë ditë inkurajojnë çdo regjisor dhe autor të sjellin ngjarje sa më të guximshme, sa më të dukshme që të godasin sa më fuqishëm te publiku.
“I njëjti mision është edhe i Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj, që përmes projekteve tona të shënojmë rrugët që çojnë në vlerat e vërteta përmes të cilave e pasurojmë botën e fëmijëve dhe njëkohësisht i ndihmojmë ata të zhvillohen shëndetshëm dhe të zhvillojnë edhe mendimin kritik, sidomos nëpërmjet shfaqjeve interaktive, që është edhe synimi ynë. Dhe në fund, me keqardhjen më të madhe duhet të them se kjo datë teatrin e fëmijëve e gjeti me probleme të mungesës së hapsirës, probleme këto që i gjeta në atë institucion qysh në fillim. Kjo çështje e objektit ka qenë problematikë me vite të tëra, duke mos gjetur një zgjidhje afatgjate. Si e tillë pengon veprimtarinë tonë bazë, prodhimin e shfaqjeve qoftë për fëmijë apo për të rinj. Duam të kemi mirëkuptimin e secilit fëmijë për këto pengesa dhe ashtu siç është premtuar, se së shpejti do ta zgjidhin këtë çështje”, tha Jonuzi Çeliku.
Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së. INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët, me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.
Në këtë ditë festojnë të gjithë ata të cilët bëjnë të mundur vënjen në jetë të një vepre teatrale, si aktorët, regjisorërt, skenaristët, kostumografët, teknika, të cilët përmes mjeshtërisë dhe artit të tyre sjellin para publikut veprat më të mira.