Sot përkujtohet 28 vjetori i masakrës së Srebrenicës, varrosen 30 viktima të gjenocidit

Në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit, të marten varrosen 30 viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Në mëngjes, familjet e tyre bënë nderimet e fundit. Bëhet fjalë për kufoma jo të plota që u gjetën në disa varre që anëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska vazhdimisht i gërmuan dhe i zhvendosën kufomat, për të mbuluar gjurmët e krimit.

Mes tyre janë katër të mitur të moshës 15 dhe 16 vjeç.

Pas kësaj ceremonie mortore të këtij viti, numri i viktimave të gjenocidit të varrosura në Qendrën Memoriale të Potoçarit do të jetë 6,752. Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se një total prej 700 vjetësh burg për gjenocid dhe krime në Srebrenicë.

Në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, 11 korriku është shpallur ditë zie.

Në nivel shtetëror nuk u arrit marrëveshja për shpalljen e kësaj dite si ditë zie, sepse në seancën e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ministrat nga entiteti Republikës Sërpska ishin kundër.

Në ditën e zisë, programet kulturore dhe argëtuese nuk mund të mbahen në vende publike në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Mediat në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës janë të detyruara të harmonizojnë dhe përshtatin përmbajtjen e tyre programore me ditën e zisë.

Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto nga Anadolu Agency

Zvizdiq: Gjenocidi në Srebrenicë nuk ka të bëjë me opinionin e ndokujt, ai është fakt historik

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, porositi sot nga Potoçari, ku do të bëhet falja e namazit të xhenazes dhe varrimi i 30 viktimave të gjenocidit, se “gjenocidi në Srebrenicë nuk është çështje e mendimit të kujtdo, por është fakt historik”, raporton Anadolu.

“Sot është 28-vjetori i gjenocidit kundër boshnjakëve në zonën që u quajt zonë e sigurt dhe e mbrojtur e OKB-së, e cila nga ky këndvështrim duket shumë paradoksale, sepse ata as nuk u mbrojtën dhe as u ruajtën. Gjenocidi në Srebrenicë nuk është çështje opinionit të askujt, ky është fakt historik, gjenocidi që është gjykuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendore dhe sigurisht që vendimet duhet të ekzekutohen dhe respektohen”, tha Zvizdiq.

Ai deklaroi se “ne do të përkujtojmë dhe do të përcjellim të vërtetën rreth gjenocidit në Srebrenicë”.

“Dhe kurrë nuk do t’i falim ata që planifikuan dhe kryen gjenocidin, dhe sigurisht as ata që vazhdojnë ta mohojnë atë ose ata që lavdërojnë kriminelët e luftës”, tha Zvizdiq.

Ai rikujtoi se disa vite më parë, përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë miratoi një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit.

“Fatkeqësisht, në dy vitet e fundit pothuajse asnjë rast nuk është paraqitur në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës. Presim që Prokuroria të bëjë punën e saj ose nga përfaqësuesi i lartë të ndryshojë ligjin ekzistues për një bazë më të mirë ligjore. Pra, gjenocidin në Srebrenicë nuk do ta harrojmë as ne dhe as bashkësia ndërkombëtare. Pres që ajo ta shpallë 11 korrikun si ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë”, tha Zvizdiq.

Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto nga Anadolu Agency

Këshilli i Evropës kërkon që 11 korriku të caktohet si Ditë e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, kërkoi sot që 11 korriku të caktohet si Ditë zyrtare Ndërkombëtare e Përkujtimit për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, transmeton Anadolu.

Komentet e Mijatoviqit erdhën në një deklaratë me shkrim dhe një video në 28-vjetorin e Gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin më shumë se 8.000 burra dhe djem muslimanë boshnjakë u vranë nga forcat serbe në vitin 1995.

“Që është kryer një gjenocid në Srebrenicë nuk është çështje opinioni, është një fakt historik, i vërtetuar ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykatat vendase”, tha Mijatoviq.

Sipas saj, shumë njerëz nuk janë në dijeni të gjenocidit, madje disa e mohojnë atë.

“Kjo është një fyerje për viktimat dhe kërcënim serioz për drejtësinë dhe paqen në rajon. Kjo kulturë e mohimit të gjenocidit duhet çrrënjosur”, shtoi ajo.

“Përballë mohimit të gjerë të Gjenocidit të Srebrenicës, është koha e fundit që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë së shikuari nga ana tjetër. Vendosja e një dite përkujtimi do të tregonte se komuniteti ndërkombëtar qëndron në anën e së vërtetës dhe në solidaritet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave”, tha Mijatoviq.

 

Masakra e Srebrenicës
Comments (0)
Add Comment