Sot përkujtohet 26 vjetori i eksodit të shqiptarëve nga Kosova

Sot shënohet ”Eksodi 99”, data 16 prill e vitit 1999, kur forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe, dëbuan masovikisht nga trojet e tyre popullatën shqiptare nga mbarë Kosova, duke ushtruar dhunë ç’njerëzore mbi ta. 16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova, transmeton Portalb.mk.

Eksodi ishte i mbushur me vuajtje: njerëzit ecnin me orë të tëra në këmbë, të ekspozuar ndaj rreziqeve të vazhdueshme-vrasje, dhunime, rrahje, plaçkitje dhe rrëmbime ishin pjesë e përditshmërisë gjatë këtij rrugëtimi të tmerrshëm.

Përveç atyre që ishin shpërngulur në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë të tjerë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra të tjerë ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në ndonjë vend më të sigurt.

Fotografi nga libri “Bllaca-99”, Me Përjetimet E Të Dëbuarve Me Dhunë Nga Forcat Serbe’’ me autorë Jahja Lluka. Foto: Portalb.mk

Me 27 mars, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të ndryshme. Për të gjithë të lënduarit menjëherë u morën masa të për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga drejtuesit e prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. Deri në mesnatë të kësaj dite në Kukës kishin mbërritur 12.721 kosovarë.

Me datë 28 mars vazhdoi sërish fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë atyre të gjitha gjësendet që i kanë pasur me vete.

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Fotografi e një pllakete tek monumenti “Muri i Kujtesësn në Han të Elezit. Foto: Mehmet Ballazhi (Facebook)
Kultura shqiptareKulturë lajmeLufta në Kosovë