Sot është dita e fundit e Javës së Edukimit Mediatik 2024, me ç’rast nga ora 14:00 deri në ora 15:00, në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive do të mbahet takimi vjetor i Rrjetit të Edukimit Mediatik. Kjo ngjarje mbyll edhe Ditën e gjashtë radhazi të edukimit mediatik 2024, raporton Portalb.mk.
Po ashtu sot do të mbahet punëtoria me temë “Ballë për ballë: Bashkë krijojmë histori”.
Aktiviteti do të mbahet në ambientet e Qendrës Rinore në Probishtip në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik 2024.
Të enjten që lam pas, në shkollën e mesme “Georgi Dimitrov” në Shkup u mbajt punëtoria me temë “Laboratori Mediatik: Njohja e dezinformatave dhe krijimi i përmbajtjes mediatike” e organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (IKS). Më pas, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive mbajti punëtorinë me temë “Arsimimi mediatik dhe nxënësit e shkollave të mesme”, organizuar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive dhe projekti Binjakëzimi.
Dita u mbyll me punëtorinë me temë “Inteligjenca Artificiale: Mundësitë dhe Rreziqet”.
Ditët e edukimit mediatik u hapën me 28 tetor, ku dhe u tha se edhe pse nga inteligjenca artificiale (IA) ka përfitime të mëdha, përdorimi i saj sjell edhe rreziqe, si për shembull përdorimi i saj për të ashtuquajturat qëllime të këqija që cenojnë mbrojtjen e privatësisë, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
“Prandaj është e nevojshme që të ketë rregullore të qarta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.