Sot fillon Panairi i 25-të i librit në Prishtinë

Me fillim nga ora 12:00, në Kosovë hapet Panairi i 25-të i librit në Prishtinë” ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00, shkruan Portalb.mk.

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri” vjen edicioni i 25-të i Panairit të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Numri i titujve të rinj do të jetë rreth 2000, derisa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 6000.

Me mbi 40 aktivitete ky panair përkon me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime, debate dhe promovime, ku do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga Franca, etj.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30 mijë vizitorë: studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë:

  • 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt.
  • 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës.
  • 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës.
  • 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.

Kryengjarja e librit në Kosovë, organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Panairi do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00.

Kultura shqiptareKulturë lajmePanairi i Librit Prishtinë