Sonte shfaqet një prej operave të mëdha në letërsinë operistike botërore, “Luçia nga Lamermuri” nga Gaetano Doniceti

Sot (11 dhjetor), me fillim në ora 20:00, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup, do të shfaqet një nga operat bel-kanto kryesore në letërsinë operistike botërore, “Luçia nga Lamermuri”  nga kompozitori i madh italian, Gaetano Doniceti, transmeton Portalb.mk.

Dirigjent i kësaj opere psikologjikisht magjepsëse, është i ftuari Dario Salvi (Skoci/Itali), regjisori dhe skenografi Lev Pulieze (Itali), kostumografja Marija Pupuçevska, mjeshtër i koncertit është Jane Bakevski, ndërsa mjeshtri i korit: Gjurgjica Dashiq, Jasmina Gjorgjeska.

Në shfaqjen e operës do të performojë ekipi solist vendor, i udhëhequr nga Ana Durllovski në rolin kryesor, e cila vazhdon të arrijë suksese të shkëlqyera në skenën operistike europiane dhe botërore, duke befasuar kritikët dhe publikun me teknikën e saj të përsosur dhe saktësinë e intonacionit, Marjan Jovanoski, Gjorgi Cuckovski, Nikolla Stojçeski, Aleksandar Stefanoski, Marika Popoviq dhe Jane Dunimaglloski të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.

Opera bel-kanto nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN

“Luçia nga Lamermuri” është operë tragjike e shkruar në dy akte. Salvatore Kamarano e ka shkruar libretin bazuar në novelën e Ser Valter Skotit “Nusja nga Lamemuri”. Premiera e operës është shfaqur më 26 shtator të vitit 1835, në Teatrin San Karllo në Napoli. Veprimi në veprën origjinale të Ser Valter Skotit, bazohet në ndodhinë e vërtetë në historinë e familjes Ster. Ngjarja zhvillohet në Lamermur, vend në Skoci në vitin 1669. Libreti i operës përmban bazën e tregimit të Ser Skotit, por Salvatore Kamarano në zhvillimin dramaturgjik të veprimit, vendos personazhë të tjerë të cilët në veprën e Skotit nuk ekzistojnë.

Opera bel-kanto nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN
Kultura shqiptareKulturë lajmeOpera dhe Baleti RMV