Sonte në Saraj do të mbahet edicioni jubilar i “Shkupi Folk Fest”

Edicioni i 10-të jubilar i Festivalit Ndërkombëtar “Shkupi Folk Fest” do të mbahet sonte në sheshin “Isa Boletini” në Saraj, me fillim nga ora 19:00, duke sjellë para publikut një mbrëmje të pasur me këngë, valle, kostume tradicionale dhe ritme folklorike nga vende të ndryshme, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i festivalit dhe kryetari i Ansamblit “Shqiponja” nga Saraji, Fevzi Ebebi, në një prononcim për Portalb.mk tha se këtë vit është shënuar pjesëmarrje rekord, me ansamble nga disa vende të rajonit dhe Evropës.

“Sonte jemi nikoqirë dhe organizatorë të Festivalit Ndërkombëtar ‘Shkupi Folk Fest’. Jemi përpjekur që publikut të Sarajit dhe më gjerë t’i ofrojmë një ngjarje të veçantë kulturore. Deri tani janë konfirmuar mbi 16 grupe pjesëmarrëse nga Rumania, Lituania, Gjeorgjia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Shpresojmë që ky edicion jubilar të jetë edhe më i suksesshëm se edicionet e kaluara”, deklaroi Ebebi.

Ai theksoi se organizimi i një ngjarjeje të këtij niveli kërkon përgjegjësi dhe angazhim të madh, ndërsa suksesi i festivalit është rezultat i punës së përbashkët të të gjithë ekipit.

“Organizimi është realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, falë bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithëve që kanë qenë pjesë e tij. Do të dëshiroja që në të ardhmen të ketë edhe më shumë vëmendje dhe mbështetje për shoqëritë kulturo-artistike, pasi ato punojnë drejtpërdrejt me brezin e ri”, tha ai.

Sipas Ebebit, shoqëritë kulturo-artistike kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e të rinjve, ruajtjen e traditës dhe afrimin e tyre me artin dhe kulturën.

“Përmes aktiviteteve të tyre, ato kultivojnë traditën dhe u krijojnë të rinjve mundësi që të merren me art dhe kulturë, duke i mbajtur larg ndikimeve negative”, shtoi Ebebi.

Festivali “Shkupi Folk Fest” synon të promovojë folklorin dhe traditat popullore, si dhe të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet ansambleve nga vende të ndryshme.

Festival muzikorKultura shqiptareKulturë lajme