Sociologji suksesi: Mendësia “Mamba” (I)

“I can’t relate to lazy people”

(S’mund të shoqërohem me njerëz dembelë!)

Kobe Bryant

Lista e temave të mundshme për kolumna këtë radhë na e solli para një sintagmë interesante, “Mentaliteti Mamba”, një alter-ego që ndërlidhet me ish-basketbollistin amerikan, super-yllin e NBA, Kobe Bryant; një ikonë që humbi jetën në mënyrë tragjike, në një aksident helkopteri në janar të vitit 2020 bashkë me vajzën e vet 13-vjeçare dhe shtatë persona të tjerë. “Mendësia Mamba”, që rrjedh nga nofka e kësaj legjende “Black Mamba” nënkupton fokusimin te procesi dhe besimin në punën e palodhur, një gjendje mendore që është mantër e shpirtit konkurrues. (Badger, 2023)

Sipas Tyler Brandt-it, kjo filozofi jetike më vete është  përpjekje të bëhesh më i mirë çdo ditë, është forma më e thjeshtë për të përmirësuar veten në punën apo veprimtarinë me të cilën merrsh. Këtë shprehje më së miri e shpjegon vetë Bryant në autobiografinë me titull Mamba Mentality: How I Play (2018) ku ai në detaje e shpalos mënyrën e drejtë (the right way) të lojës,  mënyrën se si e ka studiuar konkurrentin/oponentin, si e ka kanalizuar pasionin gjatë lojës, stilin e vet të jetesës, karrierën dhe mësimet e marra nga dështimet.

Ky konstrukt mental është shumë më tepër se arritja e një rezultati specifik, është më tepër se një proces dhe se disiplina e përkushtimit në punë. Është mendësi që e kanë vetëm fitimtarët e vërtetë, që ka frymëzuar miliona njerëz pa marrë parasyh sportin, lëminë ose sferën e jetës. “Go hard or go home”: nëse nuk do të japësh gjithçka për të arritur diçka, është më mirë të mos përpiqesh fare, ik shko në shtëpi – thotë Bryant. Të japësh në mënyrë konstante gjithçka prej vetes që të jesh versioni më i mirë i vetes. Ky raport dhe ky ngulmim i tij te puna e bëjnë Bryant-in të regjistrohet në kujtesën e miliona njerëzve: “Ajo që do ta kujtojmë është marrëdhënia e tij e jashtëzakonshme me stërvitjen, me punën, shprehitëe tij të punës, të cilat shumë veta i quajtën të çmendura, shprehi këto që e çuan në piedestal, që e pozicionuan në majë, që e bënë atë legjendë.” (Konstandinović, 2020)

Kjo mendësi e “ambasadorit global të sportit” dhe e përkushtimit (Brandt) shenjon përkushtimin ndaj ekselencës,  fuqinë e obsesionit. Kur të arrini diçka, vendosni vetes objektiva më të larta dhe përpiquni me mish e me shpirt që t’i arrini. Bëhuni më i mirë çdo ditë që ka falë Zoti. Nëse sot je më i mirë se dje, ti je në rrugën e drejtë. Këto janë disa propozicione që e ilustrojnë më së miri këtë kulturë sportive dhe përtej. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit