Shqiptarët në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNECSO) përfaqësohen edhe me “Vallen e Tropojës” e njohur ndryshe edhe si “K’cimi i Tropojës”. Për këtë pasuri botërore biseduam me koreografin Skënder Haklaj, ai për Portalb.mk rrëfeu historinë e paraqitjes së “K’cimit të Tropojës”në festivale të ndryshme dhe ruajtjen e valles në UNESKO.
Portalb.mk: Jeni autor i dhjetëra valleve të njohura, na tregoni pak për historikun e “K’cimi i Tropojës”?
Skënder Haklaj: Historia e K’cimit të Tropojës fillon që në frymëmarrjet e para të kësaj popullate në këto troje. Tani po ju shkruaj mbi paraqitjen e parë ndërkombëtarësh: Në festivalin e parë të folklorit me 81 vende në Moskë, në vitin 1957, nga grupi i pesë çikave tropojane me virtuozen Xhevahire Gashi. Pastaj në vitin 1974 ka marrë pjesë në festivalin ballkanik të Ohrit me grupin e ansamblit të Tropojës për Shqipërinë. Në vitin 1989 është paraqitur në një festival ndërkombëtar në Zvicër. Pastaj në Gjermani, në Itali, Francë, Belgjikë, Amerikë, në Mal të Zi, Kosovë, Turqi, Maqedoninë e Veriut, Greqi etj.
Në vitin 1968 ka marrë pjesë në festivalin Kombëtar në Gjirokastër ku spikati k’cimi burrnor tropojan dhe k’cimi “Kce moj Çikë”. Në vitin 1973 morri pjesë në festivalin Kombëtar “Gjiroka”, me k’cimin e “Grave të Bytyçit”. Në vitin 1968 është paraqitur me k’cimin “Lojë me Gojfila” dhe “Dyshet e nuseve”. Në vitin 1983 është prezantuar në festivalin kombëtar në Gjiroka, me k’cimin “Lojë Deshtë Vrastar” si dhe “Mirë se vjen pranverë”, ritual.
Në vitin 1988 në festivalin kombëtar Gjiroka, me K’cimin “Me rrathë bore”, k’cimi “Legjenda e Ylberit” etj. Këto k’cime janë rezultat studimor shkencor i etnokoreografit Skënder Haklaj. Pastaj vazhdon historiku i k’cimit deri me datë 4 dhjetor 2024, ku UNESKO e futi në listën botërore, pra arriti atë vlerësim që meritonte.
Portalb.mk: Çka e bën të veçantë këtë valle?
Skënder Haklaj: E veçanta e K’cimit është vet struktura e tij, forma dhe impulsiviteti, qenha e tij para valle, sepse nuk ka formacion në ecje rreshtore apo gjysmë harku nga e majta në të djathtë, dorë për dore, krah më krah apo gisht më gisht si vallet e tjera të korpusit tonë kombëtar. Është individuale, solistike, vet formuese e vet menduese interpretuese. Fillon si t’i vajë mendimi në idenë e paraqitjes së formës. Shoqërohet dhe me instrument para muzikor, pra krejt ndryshe nga vallet. Pra është k’cim unik, një mënyrë krejt e veçantë, interpretimi pa ngjasime as me krahinat përkufij apo përkarshijë.
Portalb.mk: Pse vendoset të ktheheni nga emigracioni, cila ka qenë arsyeja?
Skënder Haklaj: U ktheva nga emigracioni pasi që k’cimi filloj të humbas formën dhe strukturën, pasi u zhduk pothuajse fare trashëgimia… Shikova se k’cimi po tjetërsohej si emër dhe si strukturë. U ktheva të punoj, që të paraqesim dosjen në UNESCO.
Portalb.mk: Tani më “K’cimi i Tropojës” është në UNESCO, na tregoni cili ishte reagimi i tyre dhe si e vlerësonin?
Skënder Haklaj: Tani është në UNESCO, dhe ka mbrojtjen e plotë për ruajtjen dhe zhvillimin. Unë e kisha 100% të sigurt se kur do ta shikojnë do ta fitonte k’cimi vetveten.
Portalb.mk: Si u ndjeve kur arriti në UNESCO vallja?
Skënder Haklaj: UNESCO e vlerësoi materialin e dosjes së kërcimit, shikoi dhe filmimin prej 10 minutash të varianteve, gjinitë dhe strukturën e k’cimit, e studiuan e diskutuan dhe e aprovuan në unitet të plotë. Pra k’cimi e fitoj vetveten.
Portalb.mk: Pse kjo valle duhet të jetë pjesë e ruajtjes ndërkombëtare?
Skënder Haklaj: Duhet të jetë pjesë e ruajtjes ndërkombëtare, për të ruajtur origjinalitetin, emërtesën, formën dhe mbi të gjitha strukturën unike të vallëzimit shqiptar. Të ketë mbrojtje dhe popullaritet ndërkombëtar. Të ftohet grupi autokton nëpër festivale ndërkombëtare dhe të paraqesin origjinalitetin, gjithnjë me ndihmës financiare. Unë u ndjeva i lumtur dhe shumë krenar pasi u arrit objektivi. “U kry bac”!
Portalb.mk: Çka shpreh muzika e kësaj treve?
Skënder Haklaj: Muzika e Tropojës si në këngë dhe në k’cime paraqet ritmet melodie të jetës së popullit, me shumë harmoni, dinjitet dhe optimizëm, afinitet me të mirën, me paqe shpirtërore, dashuri dhe qendrës heroike.
Portalb.mk: Sa po ruhet tradita jonë shqiptare sot?
Skënder Haklaj: Sot duhet shumë kujdes me ruajtjen e traditës. Duhet të ketë studiues të aftë e të sinqertë, të vendosur dhe njohës për të vazhduar para.
Portalb.mk: Cili do ishte mesazhi i juaj deri te audienca?
Skënder Haklaj: Mesazhi im është një thirrje nga zemra: Ta ruajmë folklorin tonë, pasi folklori asht identiteti i kombit, pa folklor dhe art burimor nuk mund dallohet se cilit komb i përket. Të futet lëndë mësimi në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme folklori koreografik, muzikor dhe gojor i popullit shqiptar kudo ku jetojnë shqiptarë, sidomos diaspora.