Sindikata e NQP-së kërkon rritje të pagave ose do të dalin në protestë

Sindikata e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP) kërkon harmonizim të pagave të të gjithë të punësuarve me pagën minimale, në kundërtën do të dalin në protestë. Miço Stojanovski, kryetar i organizatës sindikale NQP, thotë se rritja që ligjërisht u takon është 2.170 denarë dhe kërkojnë që prej pagës së majit këto para t’u paguhen, njofton SDK.

“Është kryer harmonizimi i të punësuarve me pagën minimale, kërkojnë që të kryhet e njëjta edhe me pagat tona. Kërkesa është dorëzuar deri te Bordi Drejtues i ndërmarrjes, deri te drejtori Krste Petrevski dhe deri te kryetarja Danella Arsovska. Nëse në qershor paga që do të na jepet për maj nuk është më e lartë, gjithçka mund të pritet dhe do të dalim në protestë”, thotë Stojanovski.

Ai thotë se tani pagat e shoferëve dhe mekanikëve janë shumë të ulëta, ndërkaq shpenzimet për jetesë janë rritur. Për shkak kësaj, në periudhën e kaluar një numër i madh i shoferëve dhe mekanikëve e kanë lëshuar ndërmarrjen.

“Vetëm këtë vit, 60 shoferë shkojnë në pension dhe nuk do të ketë kush të vozisë. Me rritjen nevojiten 5 milionë denarë në muaj ose 60 milionë në vjet, që vlerësojmë se nuk janë shumë para”, tha Stojanovski.

Portalb.mk ka shkruar për problemin me transportin publik në vazhdimësi. Mbi tetë muaj qytetarët e Shkupit po përballen me kaosin e transportit publik. Autobusë janë të stërmbushur me udhëtarë, të cilët në kushte të ndryshme klimatike presin me orë të tëra për të shkuar në punë, mjek, shkollë apo për t’i kryer obligimet e përditshme.

Qyteti i Shkupit në pjesën e parë të prillit të këtij viti, për herë të katërt shpalli thirrje publike për ndarjen e pakos së linjave dhe për dhënien e lejeve për transport të linjave të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit. Kjo është thirrja e katërt për angazhimin e sërish të transportuesve privat në linjat urbane-periferike, pasi nuk pati sukses thirrja e marsit.

Thirrja ka të bëjë në lidhje me 16 linja, gjegjësisht për numrat 9, 11, 11A, 12, 19, 20, 22, 23, 45, 47A, 52, 54, 55, 61, 63 dhe 73. Për mirëmbajtjen e këtyre linjave transportuesit duhet të sigurojnë 115 autobusë dhe 245 shoferë. Afati përfundimtar për dorëzimin e paraqitjeve nga ana e transportuesve privat ishte më 24 prill.

Autobus(ë)Ndërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)Qyteti i Shkupit
Comments (0)
Add Comment