Sindikata e Gazetarëve të RMV-së: Ndalini konferencat për media në ambient të hapur në mes të valës së të nxehtit

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM) u bëri thirrje aktorëve politikë në vend që të respektojnë rekomandimet aktuale për mbrojtje nga vala e të nxehtit. Në kushtet e rrezikut portokalli nga temperaturat e larta, Qeveria ndër të tjera rekomandoi shmangien e qëndrimit në natyrë nga ora 11:00 deri në orën 17:00 – masë kjo që nuk respektohet as nga qeveritarët, as nga përfaqësuesit e partive politike, thonë nga Sindikata, transmeton Portalb.mk.

“Për shembull, sot koalicioni “VLEN” organizoi konferencë për media në sheshin “Skënderbej” në Shkup në orën 12:00, ndërsa dje në Ohër, ministri i Kulturës Zoran Ljutkov dha deklaratë për media në ora 14:00. Ne besojmë se si përfaqësuesit e qeverisë ashtu edhe partitë duhet t’i kushtojnë vëmendje intervalit kohor kur caktojnë deklaratat për media, ose nëse është e nevojshme që ato të zhvillohen nga ora 11:00 deri në orën 17:00, eventet të organizohen në hapësira të mbyllura dhe me ajër të kondicionuar”, thonë nga SPGPM.

SPGPM paraprakisht u bëri thirrje vetë mediave që të ofrojnë mbrojtje adekuate për punonjësit e tyre, veçanërisht për ata gazetarë dhe punonjës të mediave që duhet të raportojnë në ambient të hapur.

“Gazetarët dhe punonjësit e medias duhet të jenë gjithmonë në terren dhe të raportojnë në të gjitha llojet e kushteve të motit, prandaj duhet të jenë të kujdesshëm dhe të veprojnë sipas kushteve gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës. Ne besojmë se asnjë punëtor nuk duhet të ekspozohet ndaj rreziqeve të panevojshme shëndetësore gjatë kryerjes së detyrës”, thanë nga SPGPM.

Kujtojmë se vendi ka hyrë në fazë portokalli për shkak të temperaturave të larta  të cilat variojnë mbi 30 gradë Celsius, e priten që të arrijnë edhe deri në 42 gradë Celsius.

MotiSindikata e Pavarur e Gazetarëve Maqedoni (SPGM)Temperatura të larta