Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk ka pritshmëri specifike nga qeveria e re bullgare. Sipas saj, gjëja më e rëndësishme për popullin bullgar tani është stabiliteti dhe reformat. Ajo beson se Radev është një bashkëbisedues i qëndrueshëm, por varet prej tij nëse do të ketë përmirësim të marrëdhënieve, transmeton Portalb.mk.
“Duhet ta pyesni qeverinë bullgare, kryeministrin e ri Rumen Radev, se çfarë presin. Unë e di që populli bullgar pret stabilitet, pret reforma, pret luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Deri më tani, qeveritë kanë qenë të paqëndrueshme, nuk kanë qenë të përgjegjshme, u ngjanin atyre të Republikës së tretë dhe të katërt franceze, dhe ne do të kemi një bashkëbisedues të qëndrueshëm me të cilin mund të flasim”, tha Davkova.
Fitorja bindëse e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një kthesë të rëndësishme politike për vendin, megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ulëta. Që nga viti 2020, Bullgaria ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën. Një nga kërkesat kryesore të Sofjes është përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si një popull përbërës.
Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.