Siljanovska: Balancuesi që moti është dashur të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese që moti duhej të shfuqizonte Balancuesin. Ky është qëndrimi i Gordana Siljanovska Davkovas, presidentes së Maqedonisë së Veriut pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij instrumenti, shkruan Portalb.mk.

Siljanovska DavkovaTV21 theksoi se ky vendim duhej të sillej moti nga gjykata.

“Këtë vendim Gjykata Kushtetuese duhej ta sillte që moti. Të gjithë i drejtoj, sepse thirren në burimin – Marrëveshjen e Ohrit, por Marrëveshjen Kornizë të Ohrit ta rilexojnë edhe njëherë. Atje qartë shkruan se kur flasim për administratë dhe për punësime, kriteri bazë është profesionalizmi dhe kompetenca, thuhet po ashtu se përskaj profesionalizmit dhe kompetencës duhet të respektohet edhe parimi kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Fillimisht, për mua termi “balancues” është i kontestueshëm, instrumenti është i kontestueshëm. Sepse pyetja është se çfarë balanconi? Nëse balanconi edhe profesionalizëm e kompetencë dhe përfaqësim të drejtë e adekuat, atëherë është në rregull. Kjo do të thotë se ju balanconi njohuri dhe përfaqësim dhe kjo është me të drejtë”, tha Siljanovska.

Shfuqizimi i Balancuesit ka ngritur reagime të shumta në opinion.

Fronti Evropian e ka konsideruar si vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, ku sipas tyre është goditur stabiliteti multietnik në vend. Megjithatë, gjatë qeverisë së kaluar të përbërë nga BDI dhe LSDM është miratuar Strategjia e Reformës së Administatës Publike, ku mes tjerash shkruan se është tejkaluar nevoja për të aplikuar “Balancuesin”, i cili në praktikë shkakton keqpërdorime të shumta,

Koalicioni VLEN nga ana tjetër është shprehur se këtë çështje do ta rregullojnë përmes Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin thonë se e kanë gati, mirëpo ky ligj ende nuk është prezantuar para opinionit.

Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Delegacioni i BE-së në vend. Ata kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes kornizë të Ohrit e cila kërkon respektim të plotë të parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, veçanërisht në administratën publike. Ata kanë theksuar se presin të shohin propozimet e qeverisë për të reformuar sistemin dhe për të zëvendësuar Balancuesin.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

BalancuesiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fronti EvropianGjykata Kushtetuese RMVGordana Siljanovska DavkovaVLEN koalicioni