Më 21 shtator, në faqet e gazetës së njohur amerikane “New York Times”, do të shfaqej një artikull me titullin “Shqipëria planifikon një Shtet të ri mysliman brenda kryeytetit të saj” Artikulli ishte ndërtuar mbi deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për krjimin e një Shteti sovran bektashi. Fillimisht, gjithshka u duk, si një nga lëvizjet e zakonshme të zotit Rama për të kapur faqet e mediave të rëndësishme botërore. Por kur një ditë me pas, këtë ide ai e përsëriti në fund të një fjalimi gjatë një takimi të organizuar në Kombet e Bashkuara, në kuadër të hapjes së sesionit të ri të Asamblesë, u bë e qartë se nuk kishte qenë një lëvizje spontane, porse gjithshka ishte e koordinuar, me kohë, shkruan Faktoje.al.
Shkrimi i gazetës amerikane, nuk ishte një intervistë me kryeministrin Edi Rama, ku ai shkarazi mund të kishte përmendur idenë e Shtetit bektashi, por ishte përqëndruar eksluzivisht në këtë çështje. Me gazetarët që kishin ardhur në Tiranë, kishin vizituar Kryegjyshtatën botërore, e kishin folur për këtë ide dhe me Baba Mondin, i cili nuk kishte shfaqur as habi dhe as padijeni mbi temën. E gjitha tregon qartazi një skemë të parapërgatitur, ku dhe vetë publikimi, në momentin që Rama ndodhej në New York për Asamblenë e OKB-së, dhe një ditë përpara se ai të fliste në “Samitin për të ardhmen”, ku ai praktikisht e zyrtarizoi çështjen, duke e përmendur në një forum të tillë serioz, ku përfaqësohen shtetet e botës.
Duke kujtuar Nënë Terezën, tashmë ndihmëse e retorikës së politikanëve tanë, Rama argumentoi se: “Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë. Ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.
Kryeministri nuk dha detaje të tjera, duke ushqyer në këtë mënyrë hipoteza nga më të ndryshmet që nisën të gëlonin në mediat shqiptare, ku çudia përzihej me kundërshtime të forta. Pavarësisht, se ai kishte hedhur në tavolinë një çështje jo të vogël, përmes vetëm një fjalie, ai u shfaq pak ditë më vonë, i pakënaqur me ata që ndër vite nuk kishin arritur asnjëherë të kuptonin idetë dhe projektet e tij të ndryshimit. Në një reagim në platformën X, ndaj kritikëve të shumtë të idesë, ai saktësoi edhe sinorët e Entitetit sovran të Urdhrit Bektashi, që sipas kryeministrit, do të ndërtoheshin brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.
Vetë Kryegjyshata në një deklaratë të saj, foli për një “nismë të jashtëzakonshme”, duke shpjeguar se përmes saj Urdhëri bektashi “do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative”. Kryegjyshata shtoi zyrtarisht edhe deklaratën se: “kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë”.
“Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, u tha në deklaratën e tyre, ku dhe pika e kontaktit për informacione ishte një adresë emaili, tashmë e shtetit bektashi.
Në deklaratat për gazetën amerikane, ishin ofruar ndërkohë më shumë detaje. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi u tha se do të ishte një qytet-shtet i planifikuar, një lloj mikroshteti dhe enklavë, vendosur tërësisht brenda Tiranës, kryeqytetit shqiptar. Madje, u bënë edhe kalkulimet e para të sipërfaqes, ku nëse do themelohej, ai do ishte më i vogël se qyteti i Vatikanit dhe kështu do të ishte shteti me sipërfaqen më të vogël të tokës në botë, vetëm 0.11 km2 .
Kryegjyshi bektashi, Baba Mondi është planifikuar të ketë autoritet të pakufizuar në vend dhe të drejtojë një shtet “pa dyshim të moderuar” pa kufizim fetar të stilit të jetesës. Shtetësia është planifikuar të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe njerëzit që do shërbejnë në administrimin e shtetit. Pasaporta do të jetë e gjelbër, një ngjyrë thellësisht simbolike në Islam, kurse shteti s’do ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata.
Ata që e kundërshtuan, vunë në dukje, se barriera e parë do të ishte në vetë shprehjen e Kushtetutës së Shqipërisë. Në Nenin 1të Kushtetutës së Shqipërisë, parashikohet se: “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Kjo nënkupton se për ndryshimin e mundshëm të këtij neni, qeverisë do t’i duhej një shumicë prej 94 votash ose 2/3 e Parlamentit. Ndërkohë, kryeministri kishte sqaruar për “NYT” vetëm se një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin, që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë.
Është pak të thuash se lajmi ngjalli reagim, por në ditët e para, shkundi jetën politike të vendit dhe jo vetëm. Ashtu si mund të merret lehtë me mënd, i pari që do reagonte ishte Sali Berisha kryetari i opozitës, tashmë në arrest shtëpie. Kryetari i Partisë Demokratike e quajti ‘thikë pas shpine’ ndaj kombit shqiptar idenë e krijimit të një shteti sovran të urdhrit të bektashinjve. Madje, shkoi edhe më tej, në një nga daljet e tij të përditshme nokturne:’… kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit. Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar. Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj. Nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.‘ tha Berisha.
Po ashtu, Komuniteti Mysliman Shqiptar, direkt i interesuar për këtë zhvillim ka qenë shumë kritik. Në një deklaratë publike do thoshin se: “nisma e tillë mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe siguroi përfaqësimin e të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilitdo tarikat, “ashtu siç kemi bërë deri më sot”.
Ndërkohë, që media u përpoq të shkëpusë zëra alternative, nga ana e njerëzve të PS-së ka pasur heshtje dhe përgjigje me ekuivokë, për të mos thënë me ngritje supesh. Të pakët kanë qenë ata si në rastin e Deputetit Eduart Ndreca, që i pyetur në një studio televizive mbi këtë ide deklaroi hapur se nuk e sheh të arsyeshme krijimin e një shteti të tillë. “Nuk e kam ndjekur në detaje sepse nuk e shoh të arsyeshme të ndodh diçka gjë e tillë. Nuk është hedhur në kontekstin e shtetit bektashi. Mbetem i distancuar nga kjo ide nëse është hedhur e tillë”, tha ai në “Report TV”.
BIRN shkoi edhe më tej duke bërë një ankete online, që tregoi se shumica e shqiptarëve e kundërshtonin propozimin e Ramës, duke e cilësuar atë si anti-kushtetues dhe përçarës, madje edhe të pa konsultuar me publikun në Shqipëri. Vërtetë, propozimi i kryeministrit u përball me kritika në media nga ekspertë të ndryshëm të politikës që e cilësuan atë si ide “narciste” dhe kritikuan Ramën për shpërfillje të opinionit publik, disa prej tyre duke theksuar madje se ai po cënon demokracinë.
Interesimi më i madh i huaj erdhi nga mediat turke. Ato i kanë bërë jehonë idesë së Ramës për krijimin e shteti bektashi, pasi lidhej me një komunitet, i cili përcjell një origjinë nga Turqia dhe po ashtu lidhet me myslimanizmin. Media turke “Takvim” ka hedhur idenë se e gjitha mund ishte një lojë e izraelitëve. Dhe, fantazia ka shkuar edhe më tej duke shkruar për lidhje të Baba Mondit, kryegjyshit të Bektashinjve me Izraelin dhe Sorosin. Justifikimi i të gjithë argumentit të tyre lidhej me vizitën në Tiranë gjatë javëve të fundit të presidentit izraelit Herzog.
Por, në fakt, në axhendën e zyrtarit izraelit nuk kishte takime të dedikuara me Baba Mondin dhe përfaqësues të KMSH-së, përveç shtrëngimit të duarve në evenimentet zyrtare, organizuar për nder të tij.
Gazetari i medias turke “Sabah”, Melih Altınok, ka shkruar direkt për këtë çështje, duke iu referuar një specialisti të çështjeve fetare në vendin e tij. Ai ka parashtruar më qartë idenë se “Shteti Bektashi” që pritet të marrë jetë në Tiranë është një projekt i lidhur midis Izraelit dhe George Soros!! “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se do të krijojnë një formacion me emrin ‘Shteti Sovran i Bektashinjve’ në kryeqytetin Tiranë, që është pika kryesore e axhendës. Sipas një artikulli në “New York Times”, Kryeministri Rama dëshiron t’u ofrojë bektashinjve një enklavë si ajo e Vatikanit për të promovuar tolerancën fetare. Të gjithë filluan të diskutojnë me habi këtë zhvillim, me Euroneës që e quajti “aty ku alkooli do të jetë i lirë”, duke pyetur njëherësh se ‘Nga erdhi ky shtet bektashi?’”. Në këtë rajon, me një histori 600-vjeçare, nuk duhet të nënvlerësohet ‘operacioni i rrethimit’ të Turqisë”, thekson artikulli.
Në media qarkulloi dhe një shkresë me logon zyrtare të Kryegjyshatës sipas së cilës pika e kontaktit zyrtar, për çështjet që lidhen me Shtetin bektashi, do të jetë një ambasador i Posaçëm, Nik Grezda. Faktoje. al është përpjekur të respektojë linjat zyrtare të komunikimit, për të kërkuar informacion, por, deri në afatin në momentin e shkrimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje, as edhe në email-at dërguar përfaqësuesve të tjerë.
Kompleksi i Tiranës, që përmbledh hapësirën e administruar të Bektashinjve, i cili fillimisht mbulonte rreth 90 hektarë, është rrudhur deri me dy të tretat që kur Shqipëria e nxori jashtë ligjit çdo fe në vitin 1967. Në këtë hapësirë kanë qenë disa magazina, kurse pas rënies së komunizmit në 1991, bektashinjtë humbën akoma më shumë tokë kur zhvilluesit privatë ndërtuan shtëpi pa leje pranë kompleksit.
Urdhri Bektashi është një rend mistik islamik sufi me origjinë nga Perandoria Osmane e shekullit XIII. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe formimit të Turqisë, presidenti Mustafa Kemal Atatürk mbylli lozhat e Urdhrit Bektashi më 1925. Për rrjedhojë, kryesia bektashiane e zhvendosi selinë e tyre nga Turqia në Tiranë.
Në planin historik, bektashizmi pësoi humbje të mëdha pas djegieve dhe plaçkitjeve të shumë teqeve shqiptare nga andartët grekë, por edhe me Luftën Ballkanike dhe sidomos me Luftën e Parë Botërore. Bektashinjtë janë përballur me persekutim edhe nga shiitët dhe sunitët konservatorë të cilët i konsiderojnë bektashinjtë si heretikë. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe formimit të Turqisë, presidenti Mustafa Kemal Atatürk mbylli lozhat e Urdhrit Bektashi më 1925. Për rrjedhojë, kryesia bektashiane e zhvendosi selinë e tyre nga Turqia në Tiranë.
Lidhja zyrtare me Shqipërinë merr jetë në Prishtë të Skraparit në janar 1922, kur bektashinjtë duke mbajtur Kongresin e tyre të parë, e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë dhe, pas ndalimit të të gjitha tarikateve të dervishëve në Turqi në vjeshtën e vitit 1925, bektashinjtë turq e shpërngulën selinë e tyre botërore në Tiranë.
Sa i përket zakoneve, ndryshe nga myslimanët sunitë në vend të pesë kohëve të namazit, ata falen dy herë në ditë, në kohën e lindjes dhe perëndimit të diellit. Ashtu, si ndryshe nga ata: Burrat dhe gratë falen së bashku në teqe, shtëpi lutjesh të drejtuara nga prijësit shpirtërorë të quajtur dervishë. Veçse janë aq të hapur saqë zhvillojnë edhe lutje në shtëpi private. Gratë në përgjithësi nuk mbajnë shami. Muzika dhe vallëzimi luajnë një rol të rëndësishëm. Çdo vit bektashinjtë takohen për pelegrinazh në malin e Tomorrit në Shqipërinë e Jugut, ku festojnë së bashku në një përzierje festash popullore dhe tubime familjare. Është një grup i veçantë, por pakica të vogla bektashiane ekzistojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kosovë dhe Greqi.
Në historinë e tyre thuhet se pas pasuesve të Haxhi Bektash Veliut, Ballëm Sulltani ka qenë një nga reformatorët më të mëdhenj të bektashizmit në botë. Ai bëri organizimin e gjyshatave e gjithë strukturat e tjera. Sipas tij, Bektashizmi ishte i organizuar në gjashtë qendra kryesore. Ndërkohë që ky organizim është në Anadoll (Turqi), Kaukaz (Rusi), Irak, Egjipt, Bullgari, Greqi (harta e hershme para 1800), Rumania, Maqedonia, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari, Jemen, ShBA (Miçigan). Referimet janë marrë nga studimi i F.W.Hasluck : “Shpërndarja gjeografike e bektashinjve. 1915 – 1916”.
Nga një vrojtim statistikor, realizuar për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin statistikor që drejtoi statisticieni Eduard Zaloshnja në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), rezultoi se (me ekstrapolim të përafërt statistikor) rreth 206 mijë banorë të rritur vetëdeklarohen si bektashinj.. Nga këta, më shumë se gjysma (rreth 105 mijë) banojnë në Rajonin Jugor, rreth 75 mijë banojnë në Rajonin Qendror, dhe rreth 26 mijë në Rajonin Verior.
Nga Censi-23 rezultoi se në Shqipëri banojnë rreth 116 mijë shtetas të vetëdeklaruar si bektashinj, por numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (raportuar rreth 332 mijë), i atyre që preferuan të mos përgjigjen (raportuar rreth 244 mijë), dhe i atyre që nuk ishin të disponueshëm (raportuar rreth 134 mijë) – në total rreth 710 mijë – e le të paplotë tablonë e besimeve fetare që na jep Censi-23 për Shqipërinë.
Ndërkohë popullsia banuese në Shqipëri në vitin 2011 rezultoi 2.8 milionë banorë, nga të cilët: 58.624 vetë ose 2.1 për qind rezultuan bektashinj.
Në Shqipëri, bektashinjtë, patën një periudhë të qetë me një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët, e cila ekzistoi deri më 1967, kohën kur regjimi ndërpreu jetën normale të gjithë komuniteteve fetare. Ky moment i ditëve të fundit, që lidhet me krijimin e Shtetit Bektashi në vitin 2024, përbën interesimin më të madh publik dhe trandjen më të madhe të këtij komuniteti në kohët e reja.