Shqiponja në mitologjinë e popujve të botës

Shqiponja është simbol i etnisë shqiptare. Në sfondin e kuq të flamurit tonë është vendosur shqiponja e zezë më dy krerë. Vendosja e saj në stemën dhe flamurin kombëtar duhet të ketë ndodhur në kohëra shumë të hershme. Për shqiptarët, shqiponja është simbol i lirisë dhe i trimërisë, por ajo është simbol i rëndësishëm edhe tek shumë popuj të tjerë të botës. Këtë na e mësojnë veprat, si Fjalori i simboleve (miteve, ëndrrave, zakoneve, gjesteve formave, ngjyrave, numrave…), i autorëve J. Chevalier dhe A. Gheerrant, botuar në Zagreb në vitin 1987, nga i cili po sjell në përkthim të lirë nga kroatishtja ca të dhëna që mund të jenë interesante edhe për lexuesit e PortAlb-it.

Shqiponja me dy kokë është simbol i njohur edhe të meksikanët e lashtë. Në qytetërimet e lashta të Azisë së Vogël shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit suprem. Sipas Frazer-it shqiponja si simbol është me prejardhje hetite. Atë e përvetësuan më mesjetë Turqit selxhukë, kurse prej tyre, në kohën e kryqëzatave, evropianët. Kështu arriti shqiponja në stemat e Austrisë dhe Rusisë cariste.

Shqiponja, që fluturon mbi mjegulla dhe drejton shikimin drejt diellit, konsiderohet njëkohësisht simbol i qiellit dhe simbol solar. Shqiponja si mbreti i shpezëve, në antikë qe shpend i Zeusit, madje edhe identifikohej me të. Rolin e tij prej mbreti e hasim edhe tek shamanët siberianë. Identifikimi i shqiponjës me diellin, burimin e dritës, është i rëndësishëm për Indianët e Amerikës veriore, të cilët, duke bartur në trup pendla shqiponje identifikohen me atë dritë. Pendlat e shqiponjës dhe fyejt e bërë nga eshtrat e saj praktikohen gjatë vallëzimit me shikim kah dielli. Identifikim i ngjashëm ekziston edhe tek Actekët dhe Japonezët: kami, shqiponja e të cilit është zëdhënëse dhe ndihmëse, thirret Shqiponja e dritës diellore. Grekët besonin se shqiponjat, që kanë arritur nga fundi i botës, janë ndalur në majen e omfalosit, në Delf: nga agu gjer në muzg ata ndjekin rrugën e diellit.

Shqiponja që drejton shikimin kah dielli është simbol i dritës së mendjes. Disa vepra arti të mesjetës e barazojnë me vetë Krishtin, sepse shqiponja paraqet ngjitjen e tij në qiell. Tek psalmet paraqitet si feniksi, si simbol i përtëritjes shpirtërore.

Simboli i shqiponjës mund të fitojë edhe aspekt të kobshëm. Siç ngjet shpesh, me përmbysjen e simbolit të Krishtit, shqiponja bëhet fotografi e Antikrishtit: rrëmbyese dhe vjedhëse e ashpër. E lidhur shpesh me llojet e ndryshme të mbretërimit, shpesh është edhe simbol i tiranit dhe shtypësit. Bëhet dhe shenjë e pushtetit të çartur.

Aspekti tjetër solar, pamja e shpendit mitik Garuda, burimisht është shqiponja. Shpendi diellor, i shkëlqyeshëm si zjarri, shpendi në të cilin kalëron Vishnu – gjithashtu me natyrë solare – Garuda  është nagari, armik i gjarpërinjëve, ose nagantaka, zhbërës i gjarpërinjëve. Dyzimi i shqiponjës dhe gjarpërit paraqet përgjithësisht dyzimin e qiellit e të tokës, ose luftën e engjëllit dhe demonit. Në Kamboxhë, Garuda është emblemë e sundonjësit me prejardhje solare, kurse Naga emblemë e sundonjësit me prejardhje lunare. Garuda është Veda e trefishtë  me krahë, simbol i fjalës, simbol i fuqisë, trimërisë dhe depërtueshmërisë…

Në Amerikë dhe në Siberi, në gjithë botën shamane, shqiponja është simbol i fuqisë së uranit. Sipas një afrie të mundshme shamanëve u shërben për të fluturuar hapësirave. Shamani vallëzon gjatë, bie pa vetëdije në tokë kurse shpirti i tij bartet në qiell në lundrën e tërhequr nga shqiponjat.

Shqiponja është shpend mbrojtës. Nga majat e degëve të drurit kozmik ajo na mbron si ilaçi kundër të gjitha të ligave. Indianëve të Amerikës veriore të fisit Paviosto u shërben për mënyrën magjike të shërimit: shkopi me pendla shqiponje në pjesën e sipërme, të cilin e ka siguruar shamani, vendoset në kokën e të sëmurit. Shërimi me pendla shqiponje na e përkujton fluturimin shaman dhe gjendjet ekstatike: besohet se shqiponja bart të këqiat, shpirtërat dhe shamanët.

Shqiponja është shpend i zanafillës. Shqiponja e madhe shpëton nga bota e nëndheshme trimin Toshtuka dhe e dërgon në botën e sipërme. Vetëm ai mund të fluturojë nga njëra botë në tjetrën. Në dy raste e ha trupin e trimit të vdekur për t’ia bërë pastaj sërish trupin në barkun e vet para se ta nxjerrë jashtë. Kjo është një foto që zbulon forcën rikrijonjëse të shqiponjës.

Në Uels besohet se shqiponja është njëri prej paraardhësve të botës; kjo përputhet me tregimin e Irlandezëve mbi Tuan Mac Cairillu. Shqiponja është gjallesa e parë në botë, ashtu si bilbili, dreni, lososi. Në mitologjinë kelte paraqitet si metamorfozë e Lleva-s që u shndërrua në shqiponjë kur e vrau dashnori i gruas së pabesë – Blodeuvedd-ës. Shqiponja paraqitet edhe në numizmatikën gale, kurse në Irlandë rolin e saj e ka marë Petriti (Skyfteri).

Ka dhe popuj që fluturimin e shqiponjës e lidhin me vullnetin e zotrave. Shqiponja e Romës, si edhe korbi gjermano-kelt, në esencë është lajmëtar i vullnetit suprem…

Pindari thotë se Mbreti i shpendëve fle në trupin e Zeusit dhe i njeh njerëzit me vullnetin e tij. Shqiponja që fluturon në anën e majtë është shenjë e keqe…

Siberianët e konsiderojnë shqiponjën si baba të shamanëve. Një mit i tyre thotë: Zoti dërgon Shqiponjën për të ndihmuar njerëzit që mundohen nga shpirtërat e këqinj që sjellin sëmundjet dhe vdekjen. Por njerëzit nuk e kuptojnë mesazhin e të dërguarit. Zoti e porositi që njerëzve t’jua japë si dhuratë shamanizimin. Shqiponja zbret sërish dhe bën që një grua të mbetet me bare. Ajo e lindi shamanin e parë…

Shqiponja krahasohet më babain dhe diellin, kurse si zot qiellor identifikohet me murmurimën dhe vetëtimën. Krahët e hapur të shqiponjës të kujtojnë vijën e thyer të vetëtimës dhe kryqin. Në pikturat e shqiponjës-vetëtimë dhe shqiponjës-kryq Leka i Madh shihte simbolin e qytetërimit të gjahtarëve dhe atë të bujqëve. Për Lekën e Madh shqiponja ishte hyjni e uranit, shprehje e Shpendit-Murmurimë dhe emblemë kryesore e gjahtarëve nomadë, të luftëtarëve dhe pushtuesve. Si kryq është emblemë kryesore e qytetërimeve bujqësore.

Shqiponja është shpend i dritës dhe emancipimit. Meqë sëhtë shpend solar, simbolizon diellin, zjarrin, lartësitë, thellësitë, ajrin dhe dritën, mbretin si birin e dritës.

Sipas gojëdhënave shqiponja ka forcën e ripërtëritjes. I ekspozohet diellit, ndërkaq kur i nxehen fletët, zhytet në ujë të pastër, duke u përtërirë sërishmi. Si në alkimi, është ruajtur kalimi nëpër ujë dhe zjarr. Besohet se shqiponja bart në krahët e saj shpirtin e të vdekurit dhe ia dërgon Zotit. Fluturimi drejt tokës pasqyron zbritjen e dritës në tokë.

Shqiponja është shpend sundonjës, ekuivalent i luanit në tokë. Shpesh haset në majat e shtyllave e obelisqeve; simbolizon fuqinë më të madhe, pushtetin suprem, gjenialitetin, trimërinë dhe të gjitha gjendjet transcedentale. Përgjithësisht, shqiponja është simbol i ngritjes shpirtërore, lidhjes me qiellin, që i jep forcë të jashtëzakonshme dhe e mban në lartësi.

Në tregimet biblike engjëjt shpesh kanë formën e shqiponjës. Fytyrat e tyre i përngjanin fytyrës së njeriut. Disa kishin edhe fytyrën e luanit, disa fytyrën e kaut, e disa fytyrën e shqiponjës. Fotot e këtilla janë shprehje e transcendencës: engjëlli nuk ka të ngjashëm me veten, madje edhe kur bashkohen epitetet më sipërane të shqiponjës.

Në majen e shtizës së Iranit paraislamik qëndronte shqiponja e artë, si simbol i forcës dhe fitores. Në tregimet paraislamike shqiponja simbolizon mbretin e fuqishëm, kurse ai është simbol i fatkeqësisë. Iranianët besonin se, nëse të paraqitet në ëndërr shpendi dhe peshku, do të behesh mbret ose do të të buzëqesh fati. Në folklor është ruajtur vlera e këtillë simbolike e shqiponjës. Në fshehtësitë e Hamzait, Anushiravani (Hosroei) ëndërroi fliturimin e korbit që vinte nga Khaybari. Korbi që i printe tufës ia rrëmbeu kororën. Ateherë tri shqiponja mbretërore, që erdhën nga drejtimi i Mekës, e sulmuan korbin, ia morrën kurorën dhe ia kthyen Hosroe-it. Veziri Buzardjomer thotë se ëndrra flet për armikun e mbretit, të cilin do ta mund emiri Hamza, përkujdesësi i kuajve të tij Amr dhe shigjetari Moqbel. Këta tre konsiderohen shpesh si shqiponja të mbretit, kurse quhen saheb-qaran – padronë të epokës, që mposhtin të pabesët, ndaj meritojnë të krahasohem me shqiponjat.

Në periudhën e miniaturës islamike, saksitë dhe mjetet tjera shtëpiake më së shpeshti janë stolisur me motivin e shqiponjës dhe të shpendëve të tjerë mitikë, që në art përdoren me vlerën e tyre simbolike.

Si çdo simbol tjetër edhe shqiponja ka aspektin e saj të natës. Tek indianët Pamnee, tek të cilët femra e shqiponjës së hirtë lidhet me natën, hënën, veriun, katragjyshen e vyrtytshme, por edhe të tmerrshme, kurse shqiponja e bardhë lidhet me ditën, diellin, jugun, katragjyshin figura e të cilit gjithashtu mund të bëhet tiranike. Në endrra shqiponja, si dhe luani, është kafshë mbretërore, që përsonifikon idetë sipërane, ndaj prore ruan kuptimin pozitiv. Por shqiponja është shpend grabitqar, që me kthetrat e saj rrëmben viktimat dhe i dërgon në vendet nga nuk mund të kthehen më. Së kendejmi është edhe simbol i vullnetit të pathyeshëm gllabërues…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit
Comments (0)
Add Comment