Shpërndarja e gjuhës është shpërndarje e etnisë

Thonë se gjuha është arma e mendjes dhe arsyes, mjeti me të cilin komunikojmë me njerëzit dhe me Zotin, fenomeni që ka pasur, ka dhe do të ketë pushtet mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmën e popujve. Kjo megjithatë është njëra anë e medeljes, sepse gjuha ka qenë dhe mund të jetë sërish edhe mjet grindjesh e përçarjesh, sa herë që një popull përpiqet ta nënshtrojë shpirtërisht tjetrin, duke ushtruar mbi të gjimnastika hegjemoniste.

Konica thoshte: Gjuhët janë në lidhje të ngushta dhe të drejtpërdrejta me mendjen dhe me pamjen e racës. Një gjuhë, e shqyrtuar në marrëdhëniet e saj me tërësinë e njerëzve që e flasin, mund të përkufizohet si fizionomi tingullore e racës. Sepse, ashtu si tipi fizik mesatar i një populli, pamja karakteristike e fytyrave, gjestet e zakonshme, qëndrimet, lëvizjet…, janë shprehje e dukshme e racës, po ashtu, edhe fjalët janë përfaqësuese të gjenisë kombëtare, si për nga tingëllimi i tyre i izoluar me vetë vlerat e tyre, ashtu edhe për nga natyra e kombinimeve që janë paracaktuar të formojnë…

Ja pra pse njerëzit janë të ndjeshëm kur është në pyëtje gjuha e tyre, mjeti që i shpie drejt niveleve më të larta të qytetërimit. Nayrisht, përjashtim nuk duhet të bëjmë as ne shqiptarët, duke qenë se i takojmë një populli të shtypur me shekuj.

Se problemi i gjuhës është brengë e vjetër jona dëshmojnë sakrificat e rilindësve për ringjalljen dhe ngritjen e saj në shkallën e gjuhëve të kultivuara. Ata ishin të bindur se njësia gjuhë përbën themelin më të fortë të njësisë komb. Shi për këtë ata e përjetonin rëndë bjerrjen e gjuhës. Është i trishtueshëm gjer n’ekstren vargu i Jeronim de Radës: “Gjaku ynë i shprishur”, i shkruar në çastin e fundit të jetës, sigurisht për shkak të shpërbërjes së gjuhës. Dekada më vonë këtë dhembje të frikshme e shprehu edhe poeti erudit arbëresh, Dushko Vetmo, i cili la pas vetes amanetin që i shkon edhe kohës sonë: “Shpërmdarja e gjuhës dmth. shpërndarje e etnisë”.

Popujt përreth nesh e dinë gjithashtu se Gjuha është atdheu i vërtetë i folësve të saj, ndaj kujdesen për të si për sytë e ballit. Ne ndërkaq, mbajmë qëndrim shpërfillës ndaj gjuhës sonë të bukur, njërës ndër 10-12 degët kryesore të trungut gjenealogjik të indoevropianishtes, ku bëjnë pjesë 46 % e gjuhëve të botës.

Për ta kuptuar më mirë sjelljen tonë ndaj vlerave të pallogaritshme si puna e gjuhës, po përmend francëzet, llafi vjen, që flasin njërën prej gjuhëve më të mëdha të botës, që për shumëkë është gjuhë e kulturës botërore, e shtrirë enekënd rruzullit tokësor. Por kjo e dhënë s’i ka rehatuar fare, ndaj vazhdojnë të tuten se vjen një ditë dhe i gjenë fati i latinëve. Ligjet e tyre ndëshkojnë keqpërdoruesit e normës gjuhësore në komunikimet publike, kurse ne, një grusht njerëzish, sillemi ndaj Shqipes si ndaj asgjësë, duke harruar se për disa dekada mund ta shndërrojmë atë në kujtim të largët, në vegël muzeale, në: Na ishte njëherë një gjuhë, që e zallahitnin të parët tanë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit