Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” Tetovë e shënoi 10-vjetorin e themelimit

Mbrëmë në Shtëpinë e Evropës në Tetovë Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” e festoi 10 vjetorin e themelimit të saj, transmeton Portalb.mk.

Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” në Tetovë u themelua më 15 janar 2015 dhe u regjistrua më 23 janar 2015.

Nga Shoqata bëjnë të ditur se ishte një dekadë plot sfida, angazhime, mund, djersë, udhëtime dhe përgjegjësi, me dhjetëra manifestime çdo vit.

Deri tani kanë organizuar rreth 100 aktivitete, promovime librash, homazhe për poetët që nuk janë më gjallë, botime librash, botimin e organit të “Oeneum”-it, Revistën letrare për art, letërsi e kulturë “Plejada”, që çdo vit e botojnë me nga 4 numra.

Shoqata bën të ditur se kanë ndarë mirënjohje e pllakate për personalitete të artit, letërsisë, kulturës dhe arsimit.

Gjithashtu se janë nënshkruar dhjetëra protokolle bashkëpunimi me shumë shoqata simotra në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi.

Pamje nga shënimi I 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” Tetovë. Foto:Daim Ilazi

Udhëheqësia e shoqatës bën të ditur se qëllimi i tyrë është të vizitojnë shkollat, të zbulojnë talente të letërsisë, të nxisin e të motivojnë të rinjtë për krijimtari letrare dhe të sjellin librin e poezinë më pranë publikut.

Në kuadër të “Oeneum”-it, kanë krijuar edhe departamentin për poetët e rinj, duke afirmuar talentet e reja. Kanë sjellë risi në organizimin e manifestimeve poetike, duke mbajtur orë poetike nëpër sallone, parqe, ujvara, trotuare, shkolla fillore e të mesme, universitete, fshatra e qytete, duke qenë gjithmonë afër lexuesve dhe dashamirësve të librit e poezisë. Sot shoqata numëron mbi 30 anëtarë.

Kryetari i shoqatës “Oeneum” Daim Ilazi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se ata kanë një platformë ku poetët mund të prezantojnë punimet e tyre.

“Shoqata jonë ofron një platformë ku poetët mund të prezantojnë punimet e tyre, të shkëmbejnë ide e përvoja letrare, dhe të ruajnë e zhvillojnë traditën poetike. Jemi përqëndruar në ruajtjen e trashëgimisë letrare dhe në përhapjen e traditave poetike, duke krijuar mundësi për bashkëpunim me poetë të vendit tonë e të rajonit, si me shoqata si motra në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera, dhe për të ngritur vetëdijën për çështje të rëndësishme shoqërore përmes artit dhe fjalës së bukur”, ka shkruar Ilazi.

Kultura shqiptareKulturë lajme