Shtëpia Botuese “Shkupi, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borås, Suedi, organizon për të nëntin vit me radhë aktivitetin kulturor “Ditët e letërsisë suedeze”, me një sërë ngjarjesh letrare në Shkup dhe Tetovë, shkruan Portalb.mk.
Përkthyesi Sokol Demaku për Portalb.mk tha se ky bashkëpunim ka vlerë, sepse krijohen ura lidhëse mes kulturave dhe popujve si dhe letërsive të ndërsjella.
”Ka promovime librash të përkthyer nga suedishtja, p.sh. 5 libra suedezë në një edicion. Gjatë ditëve do ketë debate kulturore mbi temat letrare, p.sh. Përkthimet letrare si njohje kulturore e ndërsjellë. Ky event është pjesë e një bashkëpunimi të gjatë e tradicional mes botuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe institucioneve kulturore suedeze, si edhe Shoqatës Shqiptare ‘Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni’ me seli në Borås të Suedisë. Ky bashkëpunim ka vlerë të madhe sepse krijon ura lidhëse mes kulturave, popujve dhe letërsive, përmes veprave të përkthyera nga suedishtja në gjuhën shqipe. Vlerësoj se një bashkëpunim i tillë mes QKSH Migjeni në Borås, Shtëpisë Botuese Shkupi dhe Komunës së Çairit është i rëndësishëm dhe duhet mbështetur. Ata po kontribuojnë realisht në afrimin e nxënësve dhe fëmijëve tanë me librin, duke i dhënë leximit rëndësinë që meriton në përditshmërinë e tyre. Këtë e bëjnë përmes dhurimit falas të librave për bibliotekat e shkollave tona”, tha Demaku.
Aktiviteti i parë zhvillohet në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Liria” në Shkup, më 26 nëntor, nga ora 12:00-13:00. Me nxënësit e ciklit të ulët, nën udhëheqjen e shkrimtares dhe pedagoges Mejrem Kajolli Tusha, në vigjilje të Ditës së Flamurit, do të mbahet një manifestim letrar dhe do të promovohen tre libra për fëmijë:
- Kafshët në pyll-Sarah Sheppard.
- Shëtitje e gjatë.
- Ëndërroj të bëhem mikser betoni-Hussain Al Mutawaa.
Po të njëjtën ditë, më 26 nëntor në Tetovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve ONEUM, nga ora 17:00, organizohet një orë poetike shqiptaro-suedeze.
Më 27 nëntor, në Sallën e Komunës së Çairit, nga ora 11:00-12:00, do të promovohen gjashtë libra të rinj:
- “Kafshët në pyll” nga Sarah Sheppard.
- “Shëtitje e gjatë” nga Marin Widmark.
- “Vepra të përmbledhura” nga Lydia Sandgrin.
- “Modeli standard” nga Helena Granström.
- “Vullneti yt qëndron në pyll” nga Mattias Timander.
- “Ëndërroj të bëhem mikser betony” nga Hussain Al Mutawaa.
Për pesë librat e parë, të përkthyer nga suedishtja në shqip, do të flasë përkthyesi Sokol Demaku. Ndërsa për librin “Ëndërroj të bëhem mikser betony” nga Hussain Al Mutawaa, të përkthyer nga arabishtja në shqip nga Bekim Sulejmani, do të flasë shkrimtarja e njohur nga Shkupi, Mejrem Kajolli Tusha.
Po të njëjtën ditë, nga ora 14:30, shkrimtarët dhe poetët suedezë e shqiptarë do të vizitojnë Muzeun privat të Setullah Demirit në Kopanicë të Shkupit.
Më 28 nëntor, pjesëmarrësit do të vizitojnë Kalanë e Shkupit, Sheshin Skënderbeu dhe vende të tjera atraktive të qytetit.