Shkrirja e VLEN-it çështje komplekse, procesi ngec te zgjedhja e liderit

Po vazhdojnë takimet brenda koalicionit VLEN për të diskutuar rreth shkrirjes në një parti, por ende nuk ka një vendim final.  Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se është proces kompleks, por shtoi se ata po takohen 1-2 në javë për t’i dhënë fund kësaj ideje, raporton TV21.

“Është një proces kompleks, në të cilin ne po bisedojmë së paku 1-2 herë në javë. Këtë javë kishim takimin e fundit dhe brenda javës është paraparë takimi i radhës. Bisedohet edhe për çështjen e lidershipit por edhe për çështjen e strukturimit të VLEN-it komplet si një strukturë politike!. Jemi katër subjekte politike e po ashtu edhe Vetëvendosja e cila do të duhet te jetë e inkorporuar brenda VLEN-it, po ashtu edhe Lëvizjen Arbëria, ndaj kjo nuk është vetëm çështje administrative që do ta lejojë bashkimin në një parti, por duhet të jetë mundësi e hapur për të gjithë që jemi pjesëmarrës në VLEN”, tha Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, parti e cila është pjesë e koalicionit VLEN.

Tashmë pjesë e VLEN është edhe Lëvizja Arbëria. Orhan Ibrahimi nga ky subjekt tha se për këtë ide nevojitet kohë dhe se gradualisht do të arrihet qëllimi.

“S’po bëhet VLEN një, asnjë gajle, VLEN është një. Ky VLEN i mundi edhe në zgjedhje parlamentare edhe lokale. VLEN është një. Megjithatë VLEN vet e ka nxjerr idenë e shkrirjen në një parti, nuk është se dikush po ja imponon. Ok është vetdeklarim i yni por që nuk është nesër, gradualisht, është me rëndësi përmbajtja”, tha Orhan Ibrahimi nga Lëvizja Arbëria, organizim që gjendet brenda koalicionit VLEN.

Gjithçka ka ngecur te zgjedhja e liderit, pasi janë 4 kryetarë partishë brenda koalicionit. Përfliten disa opsione, si rotacion njëvjeçar të kryetarit, opsioni me bashkëkryetar, por edhe opsione tjera. Brenda VLEN tashmë janë 6 subjekte: LD, BESA, AAA, ASH-Fetai, VV dhe Arbëria.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti më 25 nëntor të vitit 2025 gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Drejtpërdrejt” në TV Telma deklaroi se mes tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it.

Ndonëse pjesëmarrës në këtë koalicion janë më shumë subjekte, pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, dy emrat që përfliten për liderë të VLEN-it janë Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa. Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider. 

Bilall KasamiLëvizja Besa (LB)VLEN koalicioni