Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri në Ballkan, shumë më e lartë se në BE, alarmoi profesori Ziberi

Vendet e Ballkanit kanë një përqindje shumë më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet që kanë lidhje me kancerin sesa vendet e Evropës Perëndimore. Bashkim Ziberi, profesori i fizikës mjekësore në Universitetin e Tetovës dhe aktivist i shëndetit botëror, thotë në një interviste me Zërin e Amerikës se pavarësisht se numri i të prekurve me kancer në Ballkan është më i ulët se sa në BE, shkalla e vdekshmërisë në Ballkan është 60 % ndërsa në vendet e bllokut evropian është 35 %.

Profesor Ziberi i cili ka qenë pjesëmarrës i programit Fulbright në Institutin për Kancerin ‘Dana Farber’ të Universitetit të Harvardit, sqaron arsyet pse ekziston ky dallim i madh. Ai ndodhet këto ditë në Uashington si bashkëorganizator i takimit për shëndetin botëror që ka për qëllim të zbusë pabarazinë në zbulimin e hershëm dhe trajtimin e pacientëve me kancer në vendet me të ardhura të ulëta në raport me vendet e zhvilluara.

“Shkaqet kryesore janë në cilësinë e trajtimit të pacientëve. Duke filluar nga zbulimi i hershëm që është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm, më pas janë kontrollet e rregullta, mundësitë që u jepen njerëzve tek ne për të bërë analiza të rregullta dhe deri tek cilësia e shërbimit që u ofrohet pacientëve pasi diagnostikohen. Të gjithë këta elementë së bashku e përbëjnë atë ciklin që për fat të keq tek ne nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo reflektohet edhe me numrin e lartë të vdekshmërive në raport me vendet e zhvilluara”, deklaroi Ziberi

Ai ka alarmuar që në vendin tonë kemi mungesë të stafit nga fizika mjekësore dhe aparaturave në institucionet shëndetësore.

“Në vendet tona kanceri numër një është ai i mushkërive dhe në pjesën më të madhe ka të bëjë me konsumimin e lartë të duhanit. Lloji tjetër është kanceri i gjirit tek gratë, pastaj kanceri i zorrës së trashë, e kështu me radhë. Duhet përmendur se një pjesë e këtyre llojeve të kancereve kanë mundësi të mira shërimi nëse mund të zbulohen me kohë. Ka edhe lloje të tjera të kancereve që janë më vdekjeprurës dhe që janë në përqindje më të vogël tek pacientët, por që vdekshmëria është mbi 95 % siç është kanceri i pankreasit”, deklaroi Ziberi.

KanceriKanceri i gjiritMinistria e Shëndetësisë (MSH)SëmundjeSëmundje të rralla