Përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën së bashku në një takim në SHBA, me ftesë të shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas për një takim në SHBA, raporton Kallxo.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tregoi për këtë takim përmes një postimi në rrjetin social “X”.
Në takim nga Kosova ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani.
Nga Serbia, në takim ka marrë pjesë ministri i Jashtëm Marko Gjuriq, edhe pse atje gjendet edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE pasqyron atë që jemi dhe të ardhmen që po ndërtojmë: institucione demokratike dhe evropiane, të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut”- ka shkruar ai.
Begaj tha se Shqipëria dhe i gjithë Ballkani Perëndimor në BE do të thotë siguri më e madhe për rajonin tonë dhe për kontinentin tonë.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas ZKM-së, gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”- shkruan ZKM.
Në SHBA po qëndron edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Këtë vit, përgjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të theksohet urgjenca e përmbushjes së premtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe rigjallërimit të bashkëpunimit global.
Java e Nivelit të Lartë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara 2025 zhvillohet nga 23 shtatori deri më 29 shtator 2025.