Shefi i Pentagonit i shqetësuar për sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve Lloyd Austin ka shprehur shqetësim lidhur me sulmet izraelite ndaj Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në Libanin jugor, raporton Portalb.mk.

Në sulmet izraelite gjatë kësaj jave u plagosën të paktën pesë paqeruajtës të OKB-së dhe dy ushtarë libanezë.

Zëdhënësi i Pentagonit Pat Ryder në një deklaratë tha se sekretari theksoi fuqimisht rëndësinë e garantimit të sigurisë së forcave të UNIFIL-it dhe Forcave të Armatosura Libaneze dhe rinënvizoi nevojën për të kaluar nga operacionet ushtarake në Liban në një rrugë diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur.

Në mesin e paqeruajtësve të OKB-së marrin pjesë edhe tre pjestarë nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski ka thënë se tre oficerët e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut që janë pjesë e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ndihen mirë, por nëse rrezikohet siguria e tyre do të ketë reagim të menjëhershëm.

Dje 34 vende që janë pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Liban nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke riafirmuar nevojën për të mbrojtur paqeruajtësit e UNIFIL dhe duke dënuar sulmet e fundit ndaj tyre.

Forca e Brendshme e OKB-së në Liban aktualisht ka rreth dhjetë mijë paqeruajtës nga 50 vende.

Izraeli ka kryer sulme në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë mbi një mijë njerëz, duke plagosur mbi katër mijë të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,3 milion njerëz.

IzraeliLibaniOrganizata Kombet e Bashkuara (OKB)Pentagoni