Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan më 27 shkurt për sanksione të reja kundër një zëvendëskomandanti të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe një anëtari të grupit rebel Huthi, raporton Radio Evropa e Lirë. Rebelët Huthi kanë kryer së paku 57 sulme ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit prej 19 nëntorit, ndërsa e kanë shtuar ritmin në ditët e fundit.
SHBA-ja dhe Britania janë përgjigjur me sulme ndaj Huthëve, dhe që atëherë rebelët kanë thënë se interesat amerikane dhe britanike do të konsiderohen caqe legjitime.
Sulmet në Detin e Kuq, një rrugë vitale ku kalon afër 12 për qind e tregtisë globale, kanë detyruar shumë kompani të ndryshojnë rrugën e transportit të mallrave.
Derisa Huthët “kërcënojnë vazhdimisht sigurinë e tregtisë paqësore ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojnë të ndërpresin rrjedhat e financimit që mundësojnë këto aktivitete destabilizuese”, tha nënsekretari i Thesarit të SHBA-së, Brian Nelson.
“Mbretëria e Bashkuar sanksionon gjithashtu një ministër sigurie të Huthëve për kërcënimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Jemenit duke mbështetur sulmet kundër anijeve në Detin e Kuq”, thanë autoritetet britanike në një deklaratë.
Në mesin e të sanksionuarve është Mohammad Reza Falahzadeh, zëvendës komandanti i Forcës Quds të IRGC-së.
Anëtari i Huthëve, Ibrahim al-Nashiri u sanksionua gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e përpjekjeve militante të grupit.
Thesari i SHBA-së theksoi se Forcat Quds dhe Huthët “angazhohen në shitjen e mallrave iraniane te blerësit e huaj për të gjeneruar të ardhura” për financimin e operacioneve të grupit rebel Huthi.
Thesari njoftoi gjithashtu sanksione kundër pronarit dhe operatorit të një anijeje të përdorur për të transportuar mallra iraniane, me bazë në Hong Kong.
“Të ardhurat e krijuara përmes këtyre rrjeteve të paligjshme mundësojnë përpjekjet militante të Huthëve”, tha Thesari i SHBA-së.
Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.