SHBA-ja dërgoi aeroplanmbajtësin e tretë në Lindjen e Mesme, Trumpi nuk e përjashton mundësinë e sulmeve të reja

SHBA-ja po dërgon një grup të tretë goditës të udhëhequr nga një aeroplanmbajtës në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëron se mund të ketë sulme të reja ndaj Iranit. Ky dislokim, i cili përfshin edhe një grup të specializuar sulmues amfib, tregon dinamikën që po ndryshon me shpejtësi në luftën e Trumpit kundër Iranit, ndërsa afrohen zgjedhjet afatmesme për Kongresin në SHBA, raporton Associated Press (AP) .

Trampi ka paralajmëruar se përshkallëzimi pas zgjedhjeve mbetet një mundësi reale, pavarësisht premtimeve të tij fillestare se lufta do të zgjaste vetëm disa javë. Grupi i anijeve që aktualisht po niset drejt Lindjes së Mesme transporton gjithsej më shumë se 7.000 marinarë dhe 2.000 pjesëtarë të marinsave amerikanë. Ai përfshin grupin goditës të aeroplanmbajtësit “USS Theodore Roosevelt” dhe grupin e gatishmërisë amfibe “USS Makin Island”, së bashku me dy anijet e tij për zbarkim amfib.

Sipas një zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së operacioneve ushtarake, kjo mund të nënkuptojë se në rajon do të ketë tre aeroplanmbajtës deri në fund të tetorit.

Duke marrë parasysh personelin që tashmë është dislokuar në Lindjen e Mesme, ky veprim do ta rriste praninë detare amerikane në një nivel të pazakontë prej më shumë se 20.000 marinarësh dhe marinsash, si dhe qindra avionësh. Më herët, në prill, Marina amerikane kishte tre grupe goditëse me aeroplanmbajtës në Lindjen e Mesme, për herë të parë që nga viti 2003.

Aktualisht në rajon ndodhen aeroplanmbajtësit “USS George H.W. Bush” dhe “USS George Washington”, së bashku me grupin e gatishmërisë amfibe “USS Boxer”.

“George Washington” zakonisht është i dislokuar në Oqeanin Paqësor, por u zhvendos në Lindjen e Mesme për të zëvendësuar “USS Abraham Lincoln”, misioni i të cilit ishte veçanërisht i gjatë dhe bëri që ekuipazhi të kalonte më shumë se 260 ditë rresht në det.

Është e mundur që “George Washington” të zhvendoset në ujërat pranë Japonisë pasi të mbërrijë grupi goditës i “Theodore Roosevelt”.

Në një intervistë për revistën “Time”, të publikuar të enjten, Trampi përmendi mundësinë e sulmeve të reja, duke deklaruar se mund ta intensifikojë bombardimin e Iranit pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Kur iu kërkua të jepte më shumë detaje, Trampi tha se nuk mund të fliste për strategjinë e tij.

“Nuk mund t’jua them këtë sepse, shikoni, ju pyesni: ‘Ku do të bombardoni?’”, tha Trampi.

Në intervistën, e zhvilluar të hënën, ai deklaroi se e kishte refuzuar propozimin e fundit të Iranit për armëpushim, pasi gjërat që nuk do t’i kishte miratuar një vit më parë, nuk do t’i miratonte as sot.

Si shembull, Trampi përmendi ofertën e Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, korridori kryesor për transportin e energjensëve, por tha se propozimi në tërësi nuk ishte mjaftueshëm i mirë.

I pyetur nëse lufta, e cila po bëhet gjithnjë e më jopopullore, mund t’i dëmtojë shanset e Partisë Republikane në nëntor, Trampi fillimisht u përgjigj: “Është e mundur.”

Por më pas shtoi: “Kjo duhet të ndihmojë, sepse Irani nuk do të ketë armë bërthamore.”

Presidenti deklaroi se 100 për qind e njerëzve kundërshtojnë që Irani të ketë kapacitete për sulm bërthamor, përfshirë njerëzit në mbarë botën.

“Pra, nëse shihet nga ky aspekt, kjo do të ndihmonte”, shtoi Trampi. “Nëse nuk shihet në këtë mënyrë, mund të dëmtojë.”

Donald Tramp (Trump)IraniLindja e Mesme