Shtetet e Bashkuara po forcojnë ndjeshëm aleancën e tyre në Indo-Paqësor mes kërcënimeve të sigurisë që paraqet Kina. Siç njofton Zëri i Amerikës, Pentagoni e ka përmirësuar ndjeshëm komandën ushtarake në Japoni. Por sa të gatshme janë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për të vepruar në rast konflikti?
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 54 mijë trupa të dislokuara në Japoni, me shumicën e tyre në Okinawa. Baza ajrore Kadena është më e madhja që ka Amerika në Paqësor.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, zhvilluan bisedime të dielën me homologët japonezë, ndërsa njoftuan një ndryshim të madh në çështjet e mbrojtjes.
“Shtetet e Bashkuara do të riorganizojnë forcat amerikane në Japoni në një shtab të përbashkët të forcave me misione dhe përgjegjësi të zgjeruara operacionale”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Komanda e re do të drejtohet nga një gjeneral me tre yje, thotë për Zërin e Amerikës Kunihiko Miyake me Institutin e Politikës së Jashtme.
“Kjo do të thotë se amerikanët janë vërtet seriozë për të luftuar përkrah Japonisë. Kundër kujt? Unë nuk e di. Ndoshta mund të duhet të luftojnë kundër kujtdo që dëshiron të ndryshojë me forcë status quo-në”.
Masat e reja synojnë të përmirësojë më tej Komandën e Operacioneve të Përbashkëta në Japoni, thotë Grant Newsham me Qendrën për Politikat e Sigurisë
“Është një hap i parë i mirë, drejt vendosjes së amerikanëve dhe japonezëve në një pozitë ku ata mund të luftojnë së bashku. Por mbetet për t’u parë. Është e rëndësishme se sa autoritet do të ketë, çfarë njësish dhe çfarë përgjegjësie do të ketë në rast të një emergjence?”
Vitin e kaluar Japonia njoftoi planet për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes në rreth 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2027. Zoti Newsham thotë se ushtria japoneze fillimisht ka nevojë për investime të mëdha për armët, logjistikën dhe rekrutimin.
“Si do të përgatitesh që të luftosh përkrah amerikanëve? A janë bërë planifikimet dhe trajnimet e nevojshme për të qenë të gatshëm në rast të një përballje me një situatë emergjente?”, shtron pyetjet analisti Newsham.
Ekziston shqetësimi se një emergjencë e tillë mund të jetë e afërt. Shtetet e Bashkuara dhe Japonia e kanë etiketuar Kinën si “sfidën më të madhe strategjike” me të cilën përballet rajoni ndërsa Pekini ka shtuar praninë ushtarake në Detin e Kinës Jugore dhe përreth Tajvanit.
Zyrtarët amerikanë thonë se Uashingtoni po përpiqet të ndërlidhë aleancat e tij rajonale për të krijuar një kornizë për mbrojtjen e sigurisë së Indo-Paqësorit.
“Sigurisht, nuk mund të kemi një sistem aleance kolektive si NATO-ja, sepse kemi një sfond historik ndryshe. Por kemi nevojë për një marrëveshje sigurie shumështresore”, thotë Kunihiko Miyake me Institutin e Politikës së Jashtme.
Filipinet janë një pjesë kyçe e kësaj aleance. Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën një paketë ndihme ushtarake prej 500 milionë dollarësh për Manilën.
“Për të ashtuquajturin rrjet të ri aleancash dhe marrëveshjesh që amerikanët janë përpjekur të formojnë, pyetja është, me kë prej tyre mund të kryejnë një operacion urgjent? E kam fjalën, në rast të një lufte të vërtetë, cilat vende do të ofrojnë mbështetje? Mund të jetë një listë shumë e shkurtër”, thotë analisti Newsham.
Pekini mohon se përbën kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit. Të martën, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë që të braktisin atë që e quajti “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.
Rusia tha të mërkurën se dukej se Shtetet e Bashkuara dhe Japonia po përgatiteshin për konflikt të armatosur, duke shtuar se Moska po konsultohej me Kinën dhe Korenë e Veriut për mënyrën më të mirë për t’u përgjigjur.