Serbia kërcënoi edhe me ndërhyrje në Kosovë, në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit

Në rast se hapet ura, zyrtarë të Serbisë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë paralajmëruar rrethanën nga e cila, siç kanë thënë, do ta pësonin të gjithë. Kjo është parë si kërcënim për ndërhyrje në Kosovë. Por, njohës të sigurisë thonë se kërcënimet e këtilla nuk duhen marrë seriozisht, raporton Koha.net.

Zyrtarë të lartë serbë kanë çuar mesazhe kërcënuese duke përmendur edhe mundësinë e intervenimit pas paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi rrethanën nga e cila, siç ka thënë ai, do ta pësonin të gjithë.

“Besoj se KFOR-i do të ketë sukses në sigurimin e paqes dhe mbrojtjen e jetëve të serbëve. Besoj se nuk do të na sjellin në një pozicion ku duhet të reagojmë, sepse kjo do të ishte një fatkeqësi për të gjithë ne. Por, ndonjëherë dikush ju vë në një pozicion nga i cili nuk mund të dilni. Unë besoj se ne ende mund ta bëjmë atë”, tha ai.

Por, njohës të sigurisë vlerësojnë se gjasat për ndërhyrje janë të vogla. Këtë e argumentuan me prezencën e madhe të NATO-s dhe të organeve të sigurisë së Kosovës.

“Gjasat janë shumë të vogla për faktin se është një koncentrim i shtuar, jo vetëm në numër, por edhe në teknologji në ato komuna dhe reagimi i misionit të NATO-s do të jetë shumë më i shpejtë sesa në rastin e vitit të kaluar. Shtuar këtu, koncentrimin policor të Kosovës në ato komuna besoj që situata e sigurisë është më e favorshme”, ka deklaruar njohësi i sigurisë, Bejtush Gashi.

Për mundësinë e reagimeve të dhunshme që mund t’i prodhojë hapja e urës kanë alarmuar edhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, sipas të cilëve vendimi mund t’i vërë në rrezik edhe pjesëtarët e KFOR-it.

Aleksandar Vuciq VuçiçDialog Kosovë - SerbiKosovaSerbiaVeriu i Kosovës