Sela: Mendoj që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare

Kryetari i ASH-së, pjesë e “Frontit Europian”, Ziadin Sela sot ka deklaruar se personalisht ai mendon se bashkë me zgjedhjet lokale do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se partia e tij e mbështet këtë ide, njofton Portalb.mk.

“Unë mendoj, si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idetë, të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, ka thënë Sela.

Ai potencoi se aktualisht nuk ka bashkëpunim me koalicionin VLEN dhe se ai mendon se ASH-ja nuk duhet t’i hyjë, siç e quajti, kësaj aventure.

“Jo, bashkëpunim. Bashkëpunimi është konkret. Duhet të rezultojë me një marrëveshje nëse ka bashkëpunim. Nuk ka bashkëpunim me VLEN-in dhe nuk mendoj se duhet hyrë kësaj aventure. Unë jam për bashkim të faktorit politik shqiptar, për t’u bërë të qarta, dhe ja shfrytëzoj rastin t’u bëjë apel, për t’i bërë të qarta në letër pesë gjëra që duhet ne t’i realizojmë dhe për t’i dhënë fund dhe ta ndërpresim këtë mësymjen që faktori politik maqedonas në qeveri dhe jo vetëm , iu bëjnë të drejtave të shqiptarëve dhe qenies shqiptare këtu në RMV”, tha Sela.

Ndryshe nga Sela, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në intervistë për Radion Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase deklaroi se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në afatin e rregullt në tetor. Gashi theksoi se shumica parlamentare është stabile pavarësisht nëse dikush del apo hyn për shkak të trazirave në koalicionin VLEN.

Bashkimi Demokratik për Integrim dje (26 prill) përmes një kumtese informoi se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga VLEN-i njëherë reaguan se BDI-ja gjithçka bën për të mbuluar të kaluarën e tyre kriminale, por më vonë kumtuan se pranojnë zgjedhje të parakohshme.

Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni  VLEN gjë që ka krijuar mundësi për rikonstruim të mundshëm të qeverisë.

Mbetet pikëpyetje se vallë turbulencat brenda koalicioneve në qeveri do të krijojnë hapësirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet në tetor.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Ziadin Sela