SEKULARIZËM TEOKRATIK (I)

Neologjizëm apo oksimoron? Autor i këtij termi interesant është Naser Ghobadzadeh i cili vë në pikëpyetje logjikën fetare që përdoret për të legjitimuar sundimin e klerit në Iran. Në këtë artikull do të mundohemi ta tokëzojmë në kontekstin tonë ku politika shpesh shfrytëzon fenë, fetarizohet për qëllime sovraniste, gjë që shkakton elektrizime shoqërore.

Në vitin 2022 ishim të ngarkuar me detyrën e anëtarit të Komisionit Qendror të Ministrisë së Kulturës për botime në nivel nacional dhe në një nga seancat e evaluimit të teksteve/librave para na dolën disa publikime me frymë fetare, së pari të proviniencës krishtere, që kishin të bënin me monumentet sakrale ortodokse të Rekës së Epërme, me etosin kristian në bisedat e Gjon Gojartit, një leksikon (Ранохристијански лексикон), një magazinë për vlera shpirtërore dhe më pas disa tituj që lidheshin me botëkuptimin, kulturën islame.

Për të parat biseduam lirshëm, ndërsa për të dytat, nga pjesëtarët maqedonas të jurisë menjëherë u reagua duke i cilësuar si vepra teologjike që s’duhej marrë fare në konsideratë. Gjithë nën pretekstin se shteti është laik dhe ministria në fjalë s’guxon të mbështesë publikime religjioze. Në zyrën ku zhvilloheshin takimet tona, në anën e majtë timen kishim një pikturë të kishës me një goxha kryq. Dhe, kërkuam fjalën.

“Në rregull, shteti duhet të ruajë ekuidistancën, të mos ngatërrohet dhe të mos përfshihet në punët e fesë që duhet të jetë kategori individuale, po pse vallë lejohet që një simbol fetar të stolisë zyrat e ministrisë që duhet të jetë asnjanëse fetarisht? Pse për të para diskutojmë e për të dytat ‘jo e prerë’”? Përgjigjet ishin më tepër arratisje dikursive me mjete rrethanore sesa përgjigje konkrete. “Histori arti, leksikologji. Piktura në fjalë është art, pasqyrim vizual i një objekti, nuk është drejtpëdrejt kumt dhe agjitacion fetar…” E vërteta është se një pjesë nga veprat e autorëve myslimanë trajtonin tema rë psikologjisë dhe sociologjisë së religjionit, të historisë e të  ngjashme. Për sa i përket simboleve (si kryqi), ato janë dimension me peshë i religjionit, kanë fuqi të jashtëzakonshme semantike dhe sociale.

Sekulariteti në esencë nënkupton ndarjen e fesë nga shteti, neutralitetin e shtetit në çështjet e fesë; mospërfshirjen e shtetit në sferën e fesë (Phillips, 2011). Laiciteti synon ta fusë fenë në parantezë, ta abstragojë nga jeta e shoqërisë dhe shtetit, duke e kufizuar vetëm me spektrumin e ngushtë të besimit dhe adhurimit. Si i këtillë, ai interpretohet edhe si teori antifetare.

Sekaluriteti mbetet një çështje e nxehtë në Maqedoninë e Veriut, në këtë shoqëri multietnike të ndarë, në veçanti gjatë qeverisjeve të së djathtës apo konservatorizmit etnik maqedonas kur synohet të implementohet një koncept laik pro-ortodoksist apo njëfarë teokracie sekulare.

Gjithë problemi i të ashtuquajturës teokraci sekulare (Theroux, 2012) të kësaj shoqërie rrënjët i ka te neni 19 i Kushtetutës që bën një stratifikim të bashkësive fetare, ku vërehet diskriminin i atyre jo-ortodokse, verifikuar edhe nga instanca ndërkombëtare (Komisioni për Liri Fetare Ndërkombëtare i SHBA-së; Komisioni i Helsinkit). Në raportin e vitit 2013 të State Departamentit theksohej se partia me orientim konservator – me ndihmën e KOM-it (Kishës Ortodokse Maqedonase) – e politizon fenë për qëllimet e veta, duke u thirrur në bindjet fetare dhe identitetin e shumicës në vend (slobodnaevropa.mk). Në raportin e vitit 2014 thuhej se ndërtimi i objekteve fetare shpesh shënon territor etnik ose politik, ndërsa në atë të vitit 2016 dëftohet se institucionet shtetërore shkelin rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe liritë fetare, ndër të tjera edhe për shkak të cenimit të një tjetër parimi të garantuar kushtetues – sekularitetit të shtetit. (TV 24 Vesti)

Favorizimi i një feje dhe shpërfillja e të tjerave ose trajtimi jo i barabartë tregohen si nxitës dhe provokues i mosdurimit fetar, kulturor dhe etnik. Deshekullarizimi i shtetit, pra tendencat për teokratizim (kandidimi i klerikut Mihail për president, Kryqi i Mileniumit mbi Vodno, MRT1 si servis publik me simbolikë ortodokse-krishtere, video klipi kristocentrik “Maqedonia e Përhershme”, tentimi për ndërtim të kishës në Kala, kryqi i ri në Aerodrom, fillimi i vitit akademik 2012/2013 me liturgji krishtere), janë fakte që i lëndojnë marrëdhënet mes bashkësive fetare dhe i tensionojnë ato mes qytetarëve. Në këtë varg mund të përmenden edhe mbështetja materiale nga institucione shtetërore (ShA “MEPSO”, NP “Jasen”…) i kishës “Shën Elena dhe Konstantini”, ilustrimet me elemente fetare në disa bankënota, theksi te festat fetare krishtere etj. [Shtatë ditë festive krishtere janë ditë jopune për të gjithë qytetarët (Kërshëndellat, Pashkët, Buzmi, Ujëzat, e Premtja e Madhe dhe Dita e Shpirtrave, Shën Mëria e Madhe), ndërsa vetëm një myslimane (dita e Bajramit të Madh)].

Vazhdon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit