Dy sekuestrime të mëdha të kokainës, njëri në Liberi dhe tjetri në Itali, e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes përfshirjen e mundshme të Serbisë në kontrabandën e kokainës. Kjo pasi në sekuestrimin më të madh në historinë e Liberisë, me vlerë 370 milionë dollarë, u arrestua edhe një shtetas serb, ndërsa në portin italian Vado Ligure, një pjesë e ngarkesës prej 770 kilogramësh kokainë ishte e shënuar me flamurin serb, shkruan BGNES.
650 pako me kokainë me pastërti shumë të lartë, të fshehura në një ngarkesë me banane nga Ekuadori, ranë në duart e policisë financiare dhe doganës italiane.
Në disa prej pakove ishte vendosur flamuri i Serbisë. Kjo ngarkesë, me peshë pothuajse 800 kilogramë, ishte e dyta që u zbulua brenda një kohe të shkurtër në portin italian të Vado Ligures.
“Flamuri i Serbisë nuk është provë se kokaina ishte e destinuar për tregun serb, as se pas kontrabandës qëndrojnë grupe kriminale nga Serbia. Një lidhje e mundshme me Serbinë mund të përcaktohet vetëm përmes hetimeve të mëtejshme”, vlerëson Sasha Gjorgjeviq nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
Gazetari i portalit Nova.rs, Millosh Zh. Laziq, thotë se kudo që të shkosh kur bëhet fjalë për transportin dhe tregtinë e kokainës, has në serbë ose malazezë.
Për të zbuluar nëse në këtë rast kanë rol grupet kriminale ballkanike, bashkëbiseduesit thonë se duhet parë nëse në Ekuador veprojnë grupe kriminale nga këto vende që merren me kontrabandën e kokainës.
Hetuesit i kanë identifikuar trafikantët ballkanikë të drogës si lojtarë shumë të fuqishëm në tregtinë e kokainës drejt Evropës Perëndimore dhe Australisë.
“Dërgesat e grupeve serbe dhe grupeve të tjera nga Ballkani shpesh nuk kalojnë fare nëpër Serbi, por kokaina nga Amerika Latine transportohet drejtpërdrejt në portet evropiane dhe në tregjet më të mëdha të Evropës Perëndimore dhe Australisë. Në raste të tilla, Serbia shfaqet si vendbanimi ose vendi nga ku kriminelët komunikojnë me bashkëpunëtorët e tyre”, thotë Gjorgjeviq.
Funksionimi i grupeve kriminale është i pamundur pa ndihmën dhe bashkëpunimin e një pjese të strukturave shtetërore, madje edhe të vetë institucioneve.
Në komunikimet e platformës Sky ECC, të zbuluara në Mal të Zi, Ambasada e Serbisë në Lisbonë përmendet si një vend i sigurt për fshehjen e kokainës. Pala serbe nuk ka reaguar kurrë ndaj këtyre pretendimeve.
“Shohim se shumë prej tyre përdorin identitete të vjedhura dhe jo dokumente të falsifikuara, gjë që është e pamundur të realizohet pa bashkëpunimin e policisë. Për vepra të tilla penale zakonisht dënohet vetëm një polic, gjë që është jashtëzakonisht e pazakontë”, thotë gazetari Laziq.