Samiti BE – Mbretëri e Bashkuar: “Marrëveshje historike”

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe kryeministri britanik Andy Burnham njoftuan të premten (20.11.2026), gjatë samitit në Bruksel, marrëveshjet për tregtinë dhe lëvizjen e lirë të të rinjve, shkruan Dojçe Vele (DW).

Ky mund të jetë hapi i parë drejt rindërtimit të marrëdhënieve, një dekadë pasi britanikët votuan për daljen nga BE-ja.

Gjatë takimit të delegacioneve, Burnham e quajti marrëveshjen “historike”, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi atë si një “pikë kthese” në marrëdhëniet mes dy palëve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se blloku e kishte respektuar vendimin e britanikëve për t’u larguar nga BE-ja dhe do të respektonte gjithashtu zgjedhjen e tyre për të forcuar marrëdhëniet në epokën pas Brexit-it.

Me shaka, ai tha se BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar “mund të ngasin makinën në anë të kundërta të rrugës, por ajo që ka rëndësi është se po shkojnë në të njëjtin drejtim”.

Burnhamtha se marrëveshjet u arritën duke pasur parasysh të rinjtë dhe shtoi: “Kjo marrëveshje është për ju. Ajo synon vërtet t’ju krijojë më shumë mundësi në jetë.”

“Brexit-i ua hoqi mundësitë të rinjve”
Ai shkoi edhe më tej duke thënë se “Brexit-i ua hoqi mundësitë të rinjve” dhe se tani duhet “të krijohen mundësi të reja” për ta.

Von der Leyen tha se projekti për përvojën e të rinjve do të “hapë horizonte dhe do të krijojë miqësi që do të zgjasin gjithë jetën”.

Ajo tha se marrëveshja tregtare është një “rrugë me dy drejtime” dhe se ajo nënkupton “më shumë zgjedhje për konsumatorët”.

Von der Leyen përmendi gjithashtu marrëveshjen për tregun e karbonit, duke thënë se ajo do të ulë emetimet dhe do të nxisë investimet në industri më të pastra.

Ajo tha gjithashtu se Britania do t’i ribashkohet programit Erasmus+, duke shtuar: “Na kanë munguar shumë.”

Burnham tha megjithatë se marrëveshjet e arritura të premten përfaqësojnë maksimumin që Mbretëria e Bashkuar mund të arrijë për momentin: “Ajo që po shpallim sot është ndoshta kufiri i asaj që mund të arrijmë gjatë kësaj legjislature, duke pasur parasysh gjithçka që duhet bërë për zbatimin e saj.”

Në shtator, Burnham tha se do të përpiqej të arrinte një konsensus politik për marrëdhëniet e ardhshme të vendit me BE-në, madje duke lënë të kuptohej se në zgjedhjet e ardhshme mund të bënte fushatë për rikthimin e Britanisë në bllok.

“Britania dhe Evropa kanë vlera dhe interesa të përbashkëta dhe ndajnë të njëjtën hapësirë gjeografike. Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, së bashku jemi më të fortë. Një partneritet më i ngushtë me Evropën është në të mirë të punonjësve, të Britanisë dhe të Evropës”, tha Burnham pas mbërritjes në Bruksel.

Çfarë parashikojnë marrëveshjet?
Tri marrëveshjet kryesore synojnë:

-Thjeshtimin e eksporteve të produkteve ushqimore përmes reduktimit të burokracisë

-Lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së

-Krijimin e një skeme për përvojën e të rinjve

“Skema për përvojën e të rinjve” do t’u mundësonte 100.000 personave nën moshën 30 vjeç nga secila palë të qëndrojnë deri në tre vjet në territorin e palës tjetër për të punuar, studiuar ose udhëtuar, pa iu nënshtruar kërkesave aktuale për viza.

Nuk u arrit marrëveshje për tarifat universitare të studentëve të BE-së që studiojnë në Britani, një çështje vendimtare për bllokun. BE-ja ka kërkuar që Mbretëria e Bashkuar t’i ulë tarifat universitare për studentët nga vendet e BE-së në të njëjtin nivel me ato që paguajnë studentët britanikë.

“Do të ketë diskutime të mëtejshme për çështje të ndryshme, përfshirë tarifat universitare”, tha Burnham.

Von der Leyen tha se ishte e bindur se negociatorët do të gjenin një zgjidhje për tarifat universitare: “Do të punojmë për këtë gjatë muajit të ardhshëm dhe, duke qenë se kemi dëshmuar se dimë të gjejmë zgjidhje, jam e bindur se do t’ia dalim.”

Sa i përket marrëveshjes për produktet ushqimore, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord të heqin certifikatat dhe kontrollet kufitare për ushqimet dhe produktet me origjinë shtazore, për të lehtësuar tregtinë pas Brexit-it. Në këmbim, Britania do t’i harmonizojë më ngushtë rregullat e saj me standardet e BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve.

Të dyja palët ranë dakord gjithashtu të lidhin sistemet e tyre të tregtimit të emetimeve, duke mundësuar njohjen reciproke të kuotave të karbonit dhe përjashtimin e mallrave të tregtuara nga tarifat e karbonit në kufi.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Londra vlerëson se marrëveshja mund t’i sjellë ekonomisë britanike rreth 3,8 miliardë paund shtesë në vit dhe të kursejë nga taksimi shtesë eksporte industriale në vlerë prej 6,5 miliardë paundësh, përfshirë çelikun dhe aluminin.

Udhëheqësit thanë se do të krijojnë një “dialog të strukturuar për migracionin”. Në deklaratën e përbashkët të samitit thuhet se ky dialog do të përfshijë, ndër të tjera, “angazhimin me vendet e treta” dhe “kthimet në vendet e treta”.

Të dyja palët ranë dakord të nisin bisedime zyrtare për sigurinë ekonomike dhe të forcojnë bashkëpunimin në fushën e kontrollit të eksporteve dhe zinxhirëve të furnizimit, si dhe në fusha të tjera.

Që nga mesi i vitit 2022, shumica e të anketuarve kanë deklaruar se Britania bëri gabim që u largua nga BE-ja. Në shtator, përqindja e atyre që pendohen për Brexit-in, e njohur si kampi “Bregret”, arriti në 60% – niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Burimi i tekstit: 

Anglia - Britania e MadheBashkimi Evropian (BE)Samiti i Bashkimit Evropian (BE)