Rusia e bombardoi portin ukrainas në Izmail, në kufirin me Rumaninë

Forcat ruse kryen një bombardim të rrezikshëm në portin ukrainas në Izmail, afër kufirit me Rumaninë. Në një sulm me dron, kapanonet e grurit dhe infrastruktura portuale u shkatërruan në qytetin i cili ndodhet në lumin Danub, në jugperëndim të Ukrainës, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.

Mediat rumune raportojnë se sulmi rus goditi portin në Izmail, i cili ndodhet pikërisht në kufi me këtë anëtar të NATO-s, vija kufitare e të cilit është lumi Danub. Porti ukrainas pësoi dëme të rënda nga sulmi rus, por deri më tani nuk ka raportime për viktima.

Megjithatë, Rusia në dy javët e fundit ka kryer një sërë sulmesh shqetësuese në portin e Renit, i cili ndodhet në këtë lumë, dhe sulmi i sotëm ka dëmtuar rëndë objektin e infrastrukturës në Izmail. Më herët, forcat ruse bombarduan edhe portin e Odesës në Detin e Zi.

Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të grurit dhe misrit në botë, dhe shumica e dërgesave për blerësit kalonin përmes porteve të vendit të Detit të Zi. Megjithatë, pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e transportit të grurit, çmimet e këtyre produkteve bazë ushqimore u rritën në tregjet botërore Ekzstojnë shqetësime serioze për rritjen e çmimeve të grurit pas sulmeve ruse dhe ka gjithashtu shqetësime për sigurinë globale të ushqimit, veçanërisht për vendet e varfra afrikane dhe aziatike.

Mbrëmë Rusia ka kryer sulme edhe në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Më shumë se 10 dronë rusë u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase këtë mëngjes.

“Grupe dronësh hynë në Kiev njëkohësisht nga disa drejtime. Megjithatë, të gjitha objektivat ajrore, më shumë se 10 dronë u zbuluan dhe u shkatërruan me kohë nga forcat dhe mjetet e mbrojtjes ajrore”, tha Serhiy Popko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit.

Mbetjet e dronëve të rrëzuar goditën disa zona, përfshirë në rrethin Solomyanka. Në zonën e Golosievskit, pjesë të një droni ranë në një kënd lojërash, ndërsa zjarri shpërtheu në një ndërtesë jo-banesore. Në këto sulme nuk ka pasur viktima apo të lënduar, raporton Guardian.

KieviLufta në UkrainëLumi DanubNATORumaniaRusia
Comments (0)
Add Comment