Edhe pse lagjja “Vreshtat e Liqenit” është një zonë mjaftë atraktive turistike në qytetin e Strugës, infrastruktura rrugore lë shumë për të dëshiruar. Premtimi elektoral i bërë nga i pari i Komunës së Strugës për “Rikonstruimin e infrastrukturës te Vreshtat e Liqenit” vazhdon të mbetet ende në letër. Nga Komuna nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion ndërkohë redaksia e jonë dokumenton me fotografi situatën e mjerueshme të rrugëve në këtë zonë turistike, shkruan Portalb.mk.
“Rikonstruimi e infrastrukturës te Vreshtat e Liqenit”, ishte një nga premtimet e bëra në “Agjendën e Blertë” (faqe 51), programi zgjedhor që e shpalli fitues në Komunën e Strugës garuesin nga radhët e BDI-së, Ramis Merko. Sipas premtimit të paraqitur në kategorinë “Investime infrastrukturore strategjike” planifikohet ri-ndërtimi i rrugëve dytësore të zonës së njohur si “Vreshtat e Liqenit”, në një sipërfaqe prej 2000 metra dhe parashikohet: asfaltim, ndriçim publik, rrejt kanalizimi, kanalizim atmosferik, korsi për biçikleta shtigje këmbësorësh. Në programin zgjedhor, përveç emrit të projektit dhe vizualizimit të premtimit në fjalë, nuk jepen të dhëna të rëndësishme si për shembull kur është paraparë afati i punimeve, sa buxhet do të ndahet për projektin në fjalë, si do të sigurohet buxheti e të tjera.
Sidoqoftë, rikonstruimi i rrugëve në këtë zonë përbën një projekt të rëndësishëm për qytetit sepse është një nga lagjet turistike më tërheqëse të qytetit. Zona në fjalë ka një numër të konsiderueshëm shtëpish private por edhe shtëpi që jepen me qira për turistë të huaj. Zona madje ka dhe biznese gastronomike të cilat frekuentohen nga turistë të shumtë gjatë sezonit veror.
Përderisa nga Komuna e Strugës nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion me karakter publik se deri ku është realizimi i premtimit në fjalë, ekipi Portalb.mk inspektoi situatën në terren të infrastrukturës te “Vreshtat e Liqenit”. Aktualisht në terren nuk kishte ndonjë shenjë se rrugët dytësore janë rikonstruar ose se po bëhen gati fillime punimesh ndërtuese. Të vetmet punime që po zhvillohen aktualisht atje është ndërtimi i trotuarit në rrugën kryesore të lagjes “Vreshtat e Liqenit”, investim ky që realizohet në kuadër të një projekti ndër-kufitar me emrin “Struga dhe Pogradeci për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore – COOLTOUR”. Ky projekt financohet nga buxheti gjeneral i Unionit Evropian ndërsa u nënshkrua Marrëveshje pune mes Komunës së Strugës e përfaqësuar nga kryetari Ramis Merko dhe BV Inxhinjerin- Manastir e përfaqësuar nga Kërste Nedelkovski. Ndërkohë rruga kryesore e “Vreshtave të Liqenit” u asfaltua pak para zgjedhjeve lokale në vitin 2021. Më saktë kjo pjesë e rrugës u asfaltua në korrik të vitit 2021, ndërkohë zgjedhjet lokale u mbajtën në tetor.
Në fotografitë më poshtë ju paraqesim gjendjen aktuale të rrugëve tek Vreshtat e Liqenit në Strugë.
Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të infrastrukturës tek Vreshtat e Liqenit, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.