Rritet në 4.651 numri i të vrarëve nga sulmet e Izraelit në Gaza, përfshirë 1.873 fëmijë

Numri i të vrarëve në Rripin e Gazës nga sulmet e vazhdueshme izraelite është rritur në 4.651, duke përfshirë 1.873 fëmijë, tha Ministria së Shëndetësisë në enklavën e rrethuar, transmeton Portalb.mk nga Anadolu Agency.

Në një deklaratë, Ashraf Qudra, zëdhënës i ministrisë, tha se 1.023 gra gjenden gjithashtu në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori.

Numri i të plagosurve është rritur në 14.245, shtoi zëdhënësi.

130 foshnja të lindura para kohe përballë rrezikut të vdekjes

Refuzimi i Izraelit për të lejuar hyrjen e karburantit në Rripin e Gazës, i cili është nën sulm dhe bllokadë intensive, ka lënë në rrezik vdekjeje 130 foshnja të lindura para kohe në spitalet e enklavës.

Në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, thuhet se ka pasur vështirësi në funksionimin e gjeneratorëve në spitalet e rajonit për shkak të mungesës së karburantit.

“130 foshnja të lindura para kohe në Rripin e Gazës janë në rrezik të vdekjes për shkak të këmbënguljes së pushtuesit izraelit për të ndaluar hyrjen e karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorëve të spitaleve”, thuhet në deklaratë.

Spitalet në Gaza po përjetojnë probleme të rënda për shkak të mungesës së karburantit si pasojë e bllokadës së vendosur nga Izraeli.

Mungesa e energjisë elektrike në spitale po e vështirëson përdorimin e pajisjeve mjekësore dhe pengon trajtimin e pacientëve dhe të plagosurve.

Kolona e dytë e ndihmave humanitare hyn në Gaza nga pika kufitare Rafah

Kolona e dytë e kamionëve me ndihma ka filluar të hyjë në Rripin e Gazës nga ana egjiptiane e kalimit kufitar Rafah, njoftuan mediat egjiptiane.

Sipas “Cairo News Channel”, kalimi tokësor Rafah u hap për të dytën ditë radhazi për hyrjen e ndihmave të reja humanitare në Rripin e Gazës.

Të shtunën, një kolonë ndihmash me 20 kamionë hyri në Rripin e Gazës nga vendkalimi kufitar Rafah, e para që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Çfarë ndodh në Palestinë dhe Izrael?

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.

Zyrtarët kanë thënë se më shumë se 1.400 njerëz në Izrael janë vrarë në konflikt.

Të shtunën, një kolonë humanitare filloi të hyjë në Rripin e Gazës nga ana egjiptiane e vendkalimit Rafah, e para që kur shpërtheu konflikti i armatosur midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Të paktën 4.651 palestinezë, duke përfshirë 1.873 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.

Aksion humanitar - BamirësiGazaGjenocidIzraeliKrime lufteLuftëPalestina