Priten reshje në Tetovë, sa është qyteti i përgatitur për menaxhim me krizë të vërshimit?

Ditëve të fundit moti ka qenë jostabil dhe me reshje të shiut. Duke qenë se ndryshimet klimatike dhe kërcënimet nga reshjet e dendura të shiut edhe vërshimet tani më janë realitet, Portalb.mk u interesua nëse Tetova është e gatshme të përballet me to, si një rajon që disa herë e ka pësuar nga to. Komuna e Tetovës thekson se janë të përkushtuar në këtë drejtim, por nuk dërgojnë ndonjë raport se çfarë bëjnë konkretisht. Njëkohësish, nga shoqëria civile thonë se duhet të kihet shumë kujdes.

Frika nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore është e pranishme gjithnjë në Tetovë dhe rrethinë. Ky rajon disa herë ka qenë dëshmitar i vërshimeve dhe dëmeve nga reshjet e shiut.

Së fundmi ishe verën e kaluar kur reshjet e shiut bllokuan disa rrugë dhe nënkalime. Ndërsa fatkeqësia më e madhe ishte në vërshimet e vitit 2015 morën me vete katër jetë njerëzish në mesin e të cilëve edhe të një fëmije.

Dhe çdoherë kur ka reshje, lind pyetja çka nëse ka vërshime, dhe sa qytetarët janë të sigurtë?

Për shkak të shtrirjes gjeografike si dhe neglizhencës së institucioneve, Tetova është gjithmonë në rrezik prej përmbytjeve. Kështu thonë për Portalb.mk nga shoqata “Më Mirë për Tetovën”. Në këtë drejtim, ata përmendin projektin e UNDP-së me mbështetje financiare nga Qeveria Zvicerane për mbrojtjen nga përmbytjet në rajonin e Pollogut.

“Megjithatë, është e rëndësishme të dihet se sa Komuna është e përfshirë në këto projekte dhe se sa ata angazhohen në parandalim të rrezikut nga vërshimet. Mund te thuhet se ka studime te mirëfillta të përgatitura për ketë çështje, por organet lokale duhet ti marrin parasysh kur përgatisin programet dhe strategjitë lokale me theks te veçante ne punët e sektorit për urbanizëm dhe asaj për zhvillim ekonomik lokal”, theksuan nga Më Mirë për Tetovën.

Defektet në kanalizimin fekal dhe atë atmosferik, vjetërsia e tyre, mosmirëmbajtja, mospastrimi konstant dhe hedhja e mbeturinave në to nga ana e qytetarëve janë disa nga arsyet kryesore që kur ka reshje në Tetovë, ujërat të dalin nga to në sipërfaqe.

Nga Komuna e Tetovës, të pyetur nga Portalb.mk se nëse janë të përgatitur dhe se çfarë masash ndërmarrin për të parandaluar fatkeqësitë e mundshme në këtë drejtim, theksojnë se janë të përkushtuar në pastrimin e kanalizimeve të qytetit, që ata të jenë të pastër në periudhat e reshjeve të shiut.

Megjithatë edhe pse u kërkuam, nuk na dërguan raport se çfarë aktivitetesh tjera konkrete kanë ndërmarrë dhe ndërmarrin në këtë drejtim dhe si realizohen të njëjtat.

“Kjo përpjekje për mirëmbajtje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pavarësisht problemeve që hasen për shkak të mjeteve të punës, të cilat janë të vjetra dhe për shkak të kanalizimeve joadekuate të ndërtuara më herët, ne si Komunë jemi të përkushtuar të gjejmë zgjidhje për të mbajtur sistemin funksional dhe të sigurojmë që qytetarët të mos përballen me vërshime apo fatkeqësi të pamundura për t’u parandaluar”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Në gjysmën e dytë të pranverës pritet të jetë reshje, kështu paralajmëroi në muajin prill meteorologu Vllado Spiridonov.

“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, theksoi Spiridonov.

Një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 26 janar 2024 ka shfaqur të dhëna shqetësuese për Maqedoninë e Veriut. Parashikimet janë të frikshme. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike.

Në lidhje me këtë raport, Qendra për Menaxhim me Kriza për Portalb.mk ka thënë se Maqedonia e Veriut po bën vlerësim dhe miratim të kërcënimit të sigurisë së Republikës nga të gjitha rreziqet dhe dëmet.

Komuna e TetovësPërmbytje - VërshimeReshje shiuTetova