Rreth 70 mijë euro dënime në lidhje me çmimet e produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut

Ushqimet në Maqedoninë e Veriut janë shtrenjtuar, ndërsa ato që nuk kanë pësuar ndryshim çmimesh tani shiten me gramë të reduktuar, ankohen qytetarët, raporton Radio Evropa e Lirë. Ekonomistët konsiderojnë se marzha e kufizuar është afatshkurtër dhe joefikase. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba për tregtarët në të gjithë vendin, në vlerë prej 70.000 eurosh për 30 urdhëresa për shkelje.

Inspektorati Shtetëror i Tregut (IST) i Maqedonisë së Veriut tha se deri më pesë tetor ka kryer më shumë se 500 kontrolle të jashtëzakonshme në dyqane dhe ka konstatuar një sërë manipulimesh.

Inspektorët kanë vërejtur se tregtarët po e ndryshojnë peshën e produkteve, veçanërisht te kafeja, buka dhe kosi. Për më tepër, ata kanë përdorur njësi matëse manipuluese – në vend që të ofrojnë ujë dhe jogurt në litra ose mililitra standarde, në dyqane shihen ambalazhe në kilogramë ose gramë. Kjo u mundëson atyre të kursejnë në shpenzime, por konsumatorët paguajnë më shumë.

Goran Trajkovski, drejtor i Inspektorati të Tregut, deklaroi se gjobat nga 7.000-10.000 euro janë të vogla duke pasur parasysh se fjala është për një zinxhir dyqanesh të mëdha me fitime të mëdha.

“Më lirë janë vetëm produktet e pastrimit, por ato nuk hahen. Ushqimi është shtrenjtuar, dhe ai që nuk është shtrenjtuar, tani shitet me gramë të reduktuar. Pikërisht kur mendon se ke blerë më lirë, ambalazhi del të jetë gjysmë i zbrazët”, thotë shkupjania Snezhana S., disa ditë para se të përfundonte masa qeveritare që duhej të sillte çmime më të ulëta këtë muaj dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve.

Qeveria maqedonase më 20 shtator, kufizoi marzhën bruto të fitimit me 10 për qind, për 73 produkte. Në të ashtuquajturën “shporta vjeshtore” u përfshinë buka, produkte të furrës dhe bulmetit, qumështi, mishi dhe produktet e përpunuara të mishit, disa produkte të konservuara, frutat, perimet, orizi, fasulet, makaronat etj.

Vendimi i Qeverisë, gjithashtu, obligon tregtarët që t`i sigurojnë dhe shesin këto produkte në sasi mujore prej të paktën 70 për qind të sasisë, të blerë në muajin gusht.

Masa do të zgjasë deri më 31 tetor.

Mirëpo, qytetarët thonë për Radion Evropa e Lirë se mbishkrimi “Më pak harxhime, më shumë për ty”, me të cilin është shënuar fushata në raftet e dyqaneve, nuk do të thotë se çmimet e produkteve janë vërtet më të ulëta.

Ata, gjithashtu, vërejnë se disa nga produktet mungojnë nëpër dyqane.

Qytetarët thonë se në kohën kur Qeveria po harmonizonte shportën, tregtarët e shfrytëzuan për t’i rritur çmimet. Ata po ashtu thonë se kanë vërejtur çmime më të larta të produkteve që nuk janë të përfshira në këtë masë.

Ndryshe, prej 28 shtatorit hyri në fuqi Ligji për praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, i cili duhet të ulë edhe më shumë çmimet e produkteve ushqimore. Zgjidhja ligjore përfshin një listë me mbi 2500 produkte bujqësore dhe ushqimore, rebati i të cilave do të kufizohet në 10 përqind, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve me pakicë.

Varësisht nga ashpërsia dhe rëndësia e shkeljes, Ligji parashikon dënime për kundërvajtjet më të rënda dhe kundërvajtjet. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtjen më të rëndë mund të jetë deri në 20.000 euro për një tregtar të madh dhe nga 350 deri në 500 euro për personin përgjegjës. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtje që mund të shqiptohet në procedurë është 5000 deri në 6000 euro për tregtarin e madh dhe 350 deri 500 euro për personin përgjegjës.

Besar DurmishiÇmimeÇmimi i bukësEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Qeveria e Maqedonisë së Veriut