Rreth 23.000 anëtarë të LSDM-së nesër do të votojnë për lider të ri

Kryetari i ri i LSDM-së do të zgjidhet nesër, ndërsa për të votuar janë regjistruar rreth 23 mijë anëtarë të kësaj partie. Katër kandidatë janë në garë. Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski dhe zëvendësministri për shoqëri informatike dhe administratë, Aleksandar Bajdevski, transmeton Portalb.mk.

Anëtarët do të mund të votojnë për njërin prej tyre në organizatat komunale të partisë nga ora 08:00 deri në 20:00. Pas disfatës më të madhe historike të LSDM-së në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit, të gjithë premtuan reforma në parti dhe kthimin e saj në rrugët e duhura. Por fushata e tyre nuk shkoi pa probleme, por me akuza të ndërsjella.

Petrovska dje kërkoi ndërprerjen e procesit, sepse zgjedhjet nuk do të ishin të drejta dhe nuk do të sjellin asgjë të mirë për partinë. Por, kjo nuk u pranua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i LSDM-së, i cili u përgjigj se procesi ishte legjitim. Në të njëjtën kohë, tre kandidatët e tjerë, përveç Petrovskës, kanë dorëzuar listën e kontrollorëve të propozuar për vendvotimet.

Disa ditë më parë Depostovski dhe Filipçe kanë shkëmbyer mesazhe publike.

Despotovski akuzoi se ish-lideri i LSDM-së Zoran Zaev po shtynte zgjedhjen e Filipçes, që nuk është sekret se është mik i tij i ngushtë, për të cilën Filipçe u përgjigj se përpjekja për diskreditimin e tij vetëm e dobëson LSDM-në dhe se anëtarët do të vendosin se kush do ta udhëheqë partinë.

Kjo nuk është gara e parë e Despotovskit. Ai më parë humbi nga Kovaçevski në zgjedhjet e jashtëzakonshme të brendshme partiake. Atëherë votuan rreth 44,000 anëtarë të LSDM-së

Të drejtë vote nesër kanë 23.373 anëtarë në 77 qendra votimi. Për të zgjedhur kreun e partisë, njëri prej kandidatëve duhet të marrë 50 përqind plus 1 të votave. Ndryshe do të ketë një raund të dytë mes dy kandidatëve me më shumë vota. Është hera e tretë që aplikohet ky model votimi dhe në këto zgjedhje të LSDM-së janë regjistruar më së paku votues se të gjitha zgjedhjet e mëparshme.

Ai që do të zëvendësojë Kovaçevskin në kryesinë e partisë do të ketë mandat vetëm deri në mars, sepse LSDM nuk arriti të sigurojë kuorum për mbajtjen e kongresit për ndryshimin e statutit.

Në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Lidhja Social Demokrate (LSDM)Slavjanka Sllavjanka PetrovskaVenko Filipçe