Rrëfime vere (4): Maratonaku

“Swim in silence and let your success make the noise.”

(Noto në heshtje, zhurmën le ta bëjë suksesi yt.)

anonime

“Këtë javë destinacion të shoqatës bjeshkatare-alpiniste ‘Dardania’ e kemi Dibrën, gjegjësisht liqenin e këtij qyteti piktoresk ku një shok yni do tentojë të thyejë rekordin e vet në not” – tha kryetari. Ç’rastësi që vendimi  i M. për të sfiduar veten, po besa edhe neve psikologjikisht, rastisi në kohën e Olimpiadës kontroverse “Paris 2024”. Dhe me veturat plot me ushqim, tenda e pajisje, përfshi edhe një varkë “Intex” arritëm në këtë qytet me emër dhe histori të madhe, por me shumë probleme historike dhe tani edhe demografike, që po tkurret ditë për ditë. Kafenë e pimë brenda çarshisë, bashkë me disa djem të rinj nikoqirë që shprehën ngazëllimin e tyre që i kemi nderuar me prezencën-mbështetjen tonë.

Pak më  vonë, na u shfaq silueta e njeriut rreth dymetërsh, të këtij titani, kryeaktori të ngjarjes që gjatë bisedës na tregoi skenarin e ndërmarrjes së vet dyditore në detaje. “Do nis, në ora 23:00 dhe do shohim deri ku do mbërrijmë të nesërmen!” tha M.. “Në rregull po sa kilometra?” – e pyeti njëri nga ne? Përgjigjja ishte e shkurtër: “E kjo le të mbetet sekret!” Qëllimi është diçka, realizimi mund të dalë diçka tjetër.”

Dhe dalëngadalë zbritëm buzë liqenit. I vendosëm tetë tendat, disa nga ne ia dhanë notit, disa të tjerë bisedonin para muzikës natyrore të dallgëve të buta. Pak përtej një peshkatar. Si gjithë të tjerët, e pret fatin e ‘naivit’ që do kapet në grep. Nata po avanconte, dhe të gjithë ishim në pritje. Maratonaku arriti, pas tij kryetari i Komunës që mbajti një fjalim rasti duke e uruar mezoburrin për guximin dhe mesazhin e dhënë për rininë dibrane dhe atë shqiptare në përgjithësi, për rëndësinë e sportit në ndërtimin e shëndetit social, për gatishmërinë shpirtërore dhe materiale të institucionit që ai menaxhon për të mbështetur nisma të këtilla fisnike, kuptimplota. Në veçanti në kohëra krizologjike të shumanshme që po i përjetojmë në aspekt të kulturës, edukatës rinore, të anomisë, të shpresëthyerjes, të devijimeve shoqërore që po pllakosin brezat e shekullit XXI. Noti ceremonial i sontëm dhe i nesërm kanë shumë domethënie për një qytet si ky, që ka humbur dinamizmin dhe shpresën për mbijetesë, kur të gjithë drejtohen ose nga Shkupi ose nga Amerika e gjithandej. Çdo lëvizje e vogël është mesazh, është motiv, është shpresë që ta ruajmë këtë perlë të këndejkufirit që ka pandanin e vet, të voglën andej!

Dhe fiks në ora 23:00 të së premtes, M. pasi bëri një lutje, u fotografua me gjithë ne, u hodh në liqe, dhe nisi rrugëtimin e tij prej idealisti, në errësirë, i ndjekur nga një varkë me tre të rinj që do ta shoqëronin dhe do të vigjilonin deri në fund, deri te pikësynimi. Fësh, fësh, kokën mbi dhe nën ujë, duke çarë me krahët përpara, dalëngadalë i humbet dritës së minireflektorëve ky djalë që përveç afarizmit të suksesshëm është edhe alpinist dhe motorist që me dyrrotëshin e vet ka ngjitur edhe Korabin. Shumëkujt kjo e fundit i duket e pabesueshme, por e vërteta është se ka ndodhur. “Jam dëshmitar i gjallë” – thotë lideri i “Dardanisë”

Noti kap distancën 1.6 km në një drejtim, pra 3.2 km vajtje-ardhje. Shtegu i parë, përfundon kah ora një e natës, duartrokitje. N’mëngjes, pas ecjes bregut të liqenit, njoftohemi me një shqiptaro-amerikan që nga Dibra është larguar para 40 e sa viteve dhe që jeton në Connecticutt t’Amerikës. Qe gjashtë muaj që është këtu, pa gruan dhe fëmijët. Në punë janë. “Keq i kemi punët atje. Familjet në krizë të rëndë. Luftën e identitetit brezi i ardhshëm do ta humbë tërësisht. S’llafosin dot shqip. Të lindur atje. Ky është fati ynë i zi” – ankohet. Pjesëmarrësi i demonstratave në vitet 1980 tregon për entuziazmin e dikurshëm në këtë qytet, për gjallërinë e ditëve verore tani, për zbrazjen dhe ngathtësinë pas disa javëve. Kujtimet i ka gjallë nga vendlindja. “Një ditë e lëviza me pahir bankën në klasë dhe hekuri nxorri ca zhurmë, mësuesi më bëri sual, një flakaresh, plus edhe babai në shtëpi. Falë i qoftë mësuesit, për babain as që bëhet muhabet, kanë pasur qëllim fisnik: edukimin tonë”. Pedagogjia bashkëkohore thotë ndryshe, po nejse. Shkollat e kohës sonë me metodologji moderne arsimore, janë shndërruar në zona violence, ekcesesh, përçmimi mësimdhënësish…

Shtegu, dy, tre… dhe të shtunën në ora 17:00 përmbyllet me sukses aventura mbresëlënëse. 24 kilometra të plota. Shtatë herë e gjysmë, herë 3.2 km. M. tregon se ka pasur dy probleme, një, me lukthin, dhe dy, me dallgët që natën shfaqeshin diku nga mesi i liqenit. Sidoqoftë, ai, si më mirë, si një atlet i vërtetë, arriti të vë një pikë rëndë të arritshme në këtë disiplinë, duke pasur parasysh faktin se edhe në lojërat olimpike maratona është 10 km apo 6.21 milje.

Po për çfarë e bën ky njeri këtë akt? Çfarë filozofie jete ka ai? Nga e merr motivin? Në një kohë kur të rinjtë zgjohen pak para orës  dymbëdhjetë a më vonë, maratona e M.-së është një zilerrahje në ndërgjegjen e popullatës juvenile bërë nga një njeri në dekadën e pestë të jetës, që notin e percepton si meditim në lëvizje (moving meditation), që e di se e përmirëson shëndetin trupor, mental dhe social, që të bën të jesh i orientuar drejt qëllimit (goal-oriented), që të kthjellon mendërisht, që ngadalëson mplakjen, që të bën më konfident, të largon stresin, që balancon në sistemin kardio-vaskular, që rregullon sheqerin e gjakut, që zbavit, e të tjera.

Dhe një gjë për në fund: njeriu duhet të ketë ide, ideale, objektiva dhe aktivizëm permanent. Pa to, jeta është një rrugëtim koti, një fletore pa vija dhe pa shkrim në të. S’ke çfarë merr prej saj. Pra, shumë me rëndësi është që të lëmë gjurmë në fletoren e jetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit