Rokas: Dera e BE-së është e hapur, por Maqedonia e Veriut duhet patjetër të zbatojë zotimet e vitit 2022

Euroambasadori në Shkup, Mihalis Rokas, ka përsëritur mesazhin e qartë të Bashkimit Evropian se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është brenda familjes evropiane, duke theksuar se dera për anëtarësim mbetet e hapur, por përparimi varet nga përmbushja e zotimeve të ndërmarra nga vendi, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet e vendit në rrugën drejt integrimit. Ai theksoi se zbatimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kornizës negociuese është thelbësor për të ecur përpara drejt hapjes së kapitujve të negociatave.

“Udhëheqësit e BE-së që kanë vizituar së fundmi vendin kanë pasur një mesazh të përbashkët: dera është e hapur gjerësisht dhe Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane. Ne jemi të gatshëm dhe ata kanë ofruar mbështetje për çdo veprim për ndërtimin e besimit që do të ndërmerret, si dhe për çdo masë apo ide tjetër me qëllim për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë, ai daton që nga viti 2022 dhe zotimet që ka marrë vendi duhet patjetër të zbatohen”, tha euroambasadori Rokas gjatë një vizite në Bogovinë.

Deklaratat e Rokasit vijnë në një moment kur vendi ka stagnuar në këtë drejtim, nga ana tjetër, liderët e BE-së presin intensifikimin e përpjekjeve për të përmbushur kushtet e vendosura në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe, theksoi më 5 shkurt kryeministri Hristijan Mickoski në RTVM.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEMarrëveshja me BullgarinëMihalis Mikalis Rokas (Michalis Rokas)Ndryshime Kushtetuese RMVVideo Lajme