Redaktorët e organizatave mediatike duhet të zhvendosin prioritetet e tyre nga sasia në cilësi. Ne shtypim gazetarët si limona, duke u kërkuar atyre të prodhojnë shumë storje, duke u lënë atyre pak ose aspak kohë për të menduar, për të reflektuar, për të verifikuar dyfish apo trefish, kjo është shumë kundërproduktive sepse çon në raportime të pasakta dhe pastaj mosbesim nga lexuesit tuaj. Këtë e thotë ndër të tjera në një intervistë për Portalb.mk Robert Bourgoing, gazetar franko-kanadez, trajner ndërkombëtar, folës dhe konsulent me ekspertizë në fushën e medias dhe dezinformatve. Për Portalb.mk, ai foli për rëndësinë e verifikimit të fakteve në media, disa nga truket që duhet të përdorin gazetarët, sfidat, dezinformatat, ndikimet malinje e shumë gjëra të tjera.
Intervistoi: Fisnik Xhelili
Portalb: Në përvojën tuaj, çfarë roli duhet të luajë verifikimi i fakteve në ruajtjen e integritetit gazetaresk, veçanërisht sot në një mjedis ku lajmet shpërndahen me ritme të shpejta?
Robert Bourgoing: Roli është absolutisht thelbësor – jetik. Gjithmonë ka qenë detyra e gazetarëve të verifikojnë informacionin; për këtë jemi këtu. Ne nuk jemi këtu vetëm për të treguar histori të bukura. Çdokush mund të shkruajë histori të këndshme në internet. Ajo që na nevojitet nga gazetarët është informacioni i dobishëm, i besueshëm, i verifikuar – jo pasi lajmet e rreme të jenë përhapur, por përpara se ato të shpërndahen. Verifikimi i fakteve dhe ruajtja e integritetit gazetaresk duhet të ndodhë në çdo fazë të raportimit, veçanërisht përpara se raportimi të publikohet.
Problemi i madh sot është shpejtësia me të cilën po ndodh gjithçka dhe fakti që interneti është falas. Njerëzit nuk e shohin më vlerën e gazetarisë; ata nuk janë të gatshëm të paguajnë për të. Kjo e bën edhe më të rëndësishme përqendrimin në saktësinë dhe rezistimin ndaj tundimit për të publikuar informacionin shumë shpejt, pa verifikim të mjaftueshëm të fakteve. Është një çështje e madhe – shpejtësia ka ndikim të drejtpërdrejtë në saktësinë e punës së gazetarëve.
Portalb: Cilat janë disa teknika ose mjete efektive që gazetarët, veçanërisht gazetarët e rinj, mund të përdorin për të verifikuar fotografitë, videot dhe faqet e internetit, veçanërisht në këtë epokë të përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale (IA)?
Robert Bourgoing: Ka shumë mjete dhe teknika, dhe nuk mund t’ju jap një përgjigje të shpejtë. Por, përpara se të përdorim ndonjë mjet tërheqës ose teknikë mbresëlënëse, gjëja më e rëndësishme është të gdhendni aftësitë tuaja të vëzhgimit.
Mjetet janë efektive vetëm nëse gazetarët kuptojnë gjykimet kognitive të tyre dhe se si struktura e internetit dhe mediave sociale mund të manipulojë perceptimet e tyre, duke përforcuar dezinformatat. Është thelbësore të kuptojmë se si funksionon interneti, se si mediat sociale janë krijuar për të na çuar në drejtime të gabuara. Qëllimi i mediave sociale nuk është të përhapë të vërtetën – është të fitojë para. Pra, unë do të thoja duke përdorur aftësitë tuaja të vëzhgimit, të menduarit kritik dhe sinqerisht trurin e njeriut – këto janë mjetet më të rëndësishme që keni.
Portalb: Kur përballemi me informacione që janë më të vështira për t’u verifikuar, veçanërisht gazetarët e rinj, çfarë duhet bërë?
Robert Bourgoing: Gjëja e parë është gjithmonë të verifikoni dyfish apo trefish informacionin tuaj. Asnjëherë mos u mbështetni në vetëm një burim. Përdorni burime të shumta, të besueshme – duke përfshirë njerëz. Mos qëndroni të mbërthyer në internet – përdorni telefonin tuaj, telefononi ekspertët.
Ka kaq shumë mjete të shkëlqyera, veçanërisht për monitorimin e mediave sociale, ku gjërat lëvizin shpejt. Është thelbësore të mësoni të monitoroni automatikisht me mjete falas. Por më e rëndësishmja, të bashkëpunoni. Gazetarët nuk mund të jenë superheronj që dinë gjithçka. Është e pamundur të jesh ekspert në gjithçka. Ju duhet të punoni me të tjerët, veçanërisht ata që mund të jenë përdorues më të avancuar të mjeteve të caktuara. Ne jetojmë në epokën e të dhënave të mëdha dhe gazetaria tani kërkon përpjekje ekipore.
Portalb: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen gazetarët kur bëhet fjalë për verifikimin e fakteve dhe si mund t’i tejkalojnë ato?
Robert Bourgoing: Sfida më e madhe, siç e përmenda, është shpejtësia. Shkalla me të cilën informacioni prodhohet dhe shpërndahet në internet është dërrmuese. Një sfidë tjetër është se ne kemi më pak gazetarë të paguar tani dhe organizatat e medias presin që gazetarët e tyre të bëjnë gjithçka—të bëjnë fotografi, video, intervistojnë njerëz dhe redaktojnë. Kjo nuk lë kohë për të menduar, hulumtuar, konfirmuar informacionin ose analizuar. Kjo është një sfidë e madhe.
Një çështje tjetër është se të gjithë tani pretendojnë të jenë gazetarë. Çdokush mund të ketë një faqe interneti që duket legjitime ose të fillojë një podcast. Është e vështirë të vlerësosh vlerën e secilit burim. Plus, me inteligjencën artificiale dhe përmbajtjet e rreme, veçanërisht fotografitë, linjat midis asaj që është e vërtetë dhe asaj të pavërtetë po bëhen gjithnjë e më të paqarta.
Portalb: Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me ndikime malinje dhe fushata dezinformuese, kryesisht nga Rusia dhe Kina. Çfarë strategjish duhet të aplikojnë gazetarët vendas për të luftuar këto përpjekje?
Robert Bourgoing: Kjo është një pyetje e vështirë. Strategjia ka të bëjë me forcimin e njohurive tuaja për aktorët dhe taktikat që ata përdorin në fushatat e dezinformimit. Ju duhet të trajnoni veten për të njohur modelet në shpërndarjen e informacionit të rremë. Bëhet fjalë për të kuptuar çështjet dhe për të edukuar vazhdimisht veten.
Gazetarët nuk duhet të presin që dikush tjetër t’i trajnojë ata – ju mund të gjeni kaq shumë trajnime falas në internet. Filloni me pak, si të bëni kërkime të fotove. Lufta kundër dezinformimit nuk është vetëm punë e gazetarit – është gjithashtu në dorë të qeverisë, kompanive private dhe publikut të gjerë. Të gjithë luajnë rol në luftimin e kësaj çështjeje.
Portalb: Si mund të frymëzojnë dhe inkurajojnë gazetarët dhe edukatorët me përvojë gazetarët e rinj që t’i japin përparësi verifikimit të fakteve në punën e tyre?
Robert Bourgoing: Gazetarët me përvojë nuk janë gjithmonë më të përgatiturit për të verifikuar faktet sot, sepse ata nuk janë domosdoshmërisht të mësuar me të. Gazetarët e rinj mund të marrin drejtimin këtu. Çështja është se redaktorët e lajmeve shpesh nuk i kuptojnë nevojat për trajnim të gazetarëve të rinj, sepse ata nuk ishin të trajnuar vetë. Nëse nuk dini atë që nuk dini, është e vështirë të shihni se çfarë mungon.
Gazetarët me përvojë duhet të japin shembull. Të tregohet sesi verifikimi i fakteve përmirëson besimin që lexuesit kanë te ju. Besimi është çelësi. Redaktorët gjithashtu duhet të zhvendosin fokusin e tyre nga sasia në cilësi. Shtypja e gazetarëve si limonët për të prodhuar shumë storje u lë atyre pak kohë për të menduar, reflektuar ose verifikuar faktet. Kjo çon në raportim të pasaktë, i cili gërryen besimin e lexuesit. Nëse lexuesit tuaj nuk ju besojnë, ata nuk do të kthehen. Redaktorët duhet të ndihmojnë gazetarët e tyre të prodhojnë histori të mirë-hulumtuara, solide në vend shpejtësisë dhe sasisë, vetëm për të ushqyer mediat sociale.
Portalb: A keni ndonjë mendim apo mesazh përfundimtar për gazetarët në Maqedoninë e Veriut?
Robert Bourgoing: Mos prisni që të tjerët të bëjnë punën për ju. Filloni të trajnoni veten. Mund të filloni me gjëra të thjeshta, si për shembull përpjekja për të zbuluar se kush qëndron pas një faqeje interneti anonime. Jini të vetëdijshëm se sa lehtë mund të manipuloheni në internet. Për shembull, nëse jeni duke përdorur Chrome, thjesht kliko me të djathtën mbi një imazh dhe kërko me Google Lens për të parë se nga erdhi. Filloni pak dhe së shpejti do të shihni se është shumë argëtuese dhe shumë shpërblyese sepse ju jep një ndjenjë kontrolli.
Në përgjithësi, ne kemi humbur kontrollin mbi informacionin ndaj të cilit jemi të ekspozuar – kaq shumë informacione të rreme, dezinformata, teori konspirative. Por sapo të dini disa truke dhe të bëheni të vetëdijshëm për gjykimet tuaja kognitive, mund të filloni të merrni përsëri kontrollin. Është fuqizuese dhe më duhet t’ju paralajmëroj, verifikimi i fakteve krijon varësi! Është shumë argëtuese dhe tepër shpërblyese.