RMV vendi i vetëm në rajon me Strategji për Transparencë: Aktivitete konkrete për hapjen e institucioneve

Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili ka strategji për transparencë, dokument i cili krijohet për t’u identifikuar pikat e dobëta në fushën e transparencës dhe hapjes së institucioneve të pushtetit ekzekutiv. Deri më tani, Qeveria e RMV-së i ka miratuar dy strategji, me ndihmën e Fondacionit Metamorfozis dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur – Maqedoni, me mbështetje të Bashkimi Evropian përmes projektit ACTION SEE, shkruan Portalb.mk.

Pas Strategjisë së parë për periudhën prej vitit 2019-2021, Maqedonia e Veriut po vazhdon përpjekjet për transparencë me një strategji tjetër që përfshin periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, e cila ende është në draft-version, por që në seancën e 121 të Qeverisë, të mbajtur më 23 janar të vitit 2023, është shqyrtuar dhe miratuar informata për nevojën e hartimit të Strategjisë për Transparencë të Qeverisë së RMV-së për periudhën 2023-2026. Strategjia e dytë është krijuar me synimin për të zbatuar objektivat që nuk janë realizuar në strategjinë paraprake, kryesisht për shkak të pandemisë dhe për të vendosur aktivitete shtesë për ngritjen e nivelit të transparencës së institucioneve

Paralelisht me strategjinë, përpunohet edhe plan veprimi, ku përcaktohen të gjitha aktivitetet, me anë të të cilave do të zbatohen qëllimet dhe udhëzimet e strategjisë.

Në Strategjinë e parë, planin e veprimit e ka mbikëqyrur Fondacioni Metamorfozis, i cili më pas publikoi raporte për statusin e realizimit të objektivave apo aktiviteteve të caktuara në planin e veprimit. Strategjia e parë ishte e fokusuar kryesisht në krijimin e ueb-faqeve të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, publikimin e listës me 21 dokumentet e obligueshme, caktimi i personave zyrtar për qasje deri tek informatat me karakter publik, bashkëpunim mes Qeverisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në informata me karakter publik, përmirësim i veglës për llogaridhënie të personave juridik, por edhe të ndryshohet dhe plotësohet ligji për përdorimin e të dhënave nga sektori publik.

Nga mbikëqyrja e planit të veprimit nga strategjia e parë 2019-2021, Metamorfozis konstatoi se zbatimi i Strategjisë ka ngecje në pjesën më të madhe të saj, gjegjësisht nga gjithsej 45 aktivitete të Planit të Veprimit, 25 aktivitete nuk janë realizuar fare. Arsyeja kryesore për këtë ishte pandemia, por shkaqet tjera të identifikuara nga Metamorfozis u morën si pikënisje për krijimin e Strategjisë së dytë, që përfshin periudhën 2023-2026.

Riaktivizim i aktiviteteve të bllokuara nga strategjia e parë

Strategjinë 2023-2026 përsëriten tre fusha nga strategjia e parë, të cilat nuk janë zbatuar tërësisht. Në periudhën 2019-2021 është punuar në rregullimin e aspektit ligjor të këtyre objektivave, por ngecje ka pasur në ekzekutimin e tyre.

Fusha e parë që përsëritet në Strategjinë e re është “Transparenca e qëndrueshme e Qeverisë dhe organeve të saj”, e cila ka të bëjë me standardin dhe unifikimin e ueb faqeve të qeverisë, organeve të saj dhe ministrive, si dhe dokumenteve që duhet të bëhen publike në këto ueb-faqe. Problem kryesor në këtë fushë është fakti që jo të gjitha ministritë dhe organet e pushtetit ekzekutiv kanë ueb faqe dhe ato ueb faqe që ekzistojnë, janë të gjitha ndryshe nga njëra – tjetra në aspektin formal.

“Analiza e kryer për përgatitjen e Strategjisë për transparencën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut (2019-2021) çoi në përfundimin se pothuajse secili prej tyre (ueb faqeve të qeverisë dhe ministrive) ka një dizajn tjetër, i cili në vetvete është një sfidë për qytetarët, shoqatat dhe fondacionet e qytetarëve, mediat dhe çdo subjekt tjetër i interesuar për të gjetur të dhëna për funksionimin e tyre. Për më tepër, nuk ka asnjë standard rreth asaj se në cilat gjuhë do të jenë të disponueshme faqet e internetit. Kjo deri më sot nuk është tejkaluar”, shkruan në Strategjinë 2023-2026.

Tejkalimi i këtij problemi në Strategjinë e re planifikohet të bëhet nëpërmjet krijimit të ueb-faqeve për ato institucione që nuk kanë, ose njoftimet dhe të dhënat për institucionin që nuk mund të krijohet ueb-faqe, të publikohen tek ueb-faqja e ministrisë përgjegjëse për atë institucion.

Publikimi dhe përditësimi i të minimumit të të dhënave të nevojshme nga institucionet ka qenë sfidë e vazhdueshme edhe më herët. Në vitin 2017, Qeveria në Seancën e saj të 34 krijoi listë me 21 dokumente që ajo dhe institucionet do ta kenë të obligueshme t’i publikojnë. Kjo parashihej se do të ndikonte shumë në zhvillimin e transparencës, mirëpo nuk dha rezultatet që priteshin, kryesisht sepse edhe pse kishte dënime, nuk kishte kush t’i paraqesë mangësitë.

Për këtë arsye në Strategjinë 2023-2026, përveçse do të punohet në këtë aspekt, planifikohet edhe të krijohet një njësi organizative, e cila do t’i kontrollojë këto ueb faqe çdo tre muaj për të parë a janë publikuar ose përditësuar të gjitha dokumentet që duhet.

Fusha e dytë që do të rishikohet në Strategjinë e re është “Qasja në informacione me interes publik”, e cila përfshin disponueshmërinë dhe lehtësinë në qasje në informacione me karakter publik.

Në Strategjinë 2019-2021 planifikohej të në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik, institucionet të kenë punonjës të caktuar administrativ, të cilët do të merreshin me kërkesat e palëve. Mirëpo, në Strategjinë 2023-2026 thuhet se meqë analizat në terren kanë treguar se këto vendime ende i marrin ministrat, drejtorët, etj. duhet të punohet ende me këtë çështje.

Sipas analizës të raportit për zbatimin e Strategjisë për Transparencë, gjatë periudhës nga nëntor 2019-të deri në nëntor 2021, 9 ministri kanë nënshkruar vendim për bartjen e autorizimit te punonjësit administrativ, kurse nga organet e pushtetit ekzekutiv 9 institucione kanë sjellë Vendim për Delegim. Zbatimi i kësaj procedure duhet të mbikëqyret deri në fund dhe të nxiten edhe institucionet dhe ministritë tjera ta zbatojnë ligjin.

Në Strategjinë theksohet gjithashtu dhe nevoja për përforcimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione Publike, ku dorëzohen ankesat për mosdhënie të informatave në mënyrë të plotë ose të pjesshme nga institucionet.

Regjistri i Vetëm Nacional Elektronik – ENER

Fusha e fundit që përsëritet nga Strategjia 2019-2021 është “Transparenca para sjelljes së vendimeve”, që është kryesisht një fushë e suksesshme. Vegla që mundëson transparencë në vendimmarrje është Regjistri i Vetëm Nacional Elektronik – ENER, me anë të të cilit Maqedonia e Veriut mundëson debat për propozim-ligjet para se ato të miratohen.

Në Strategjinë 2019-2021, ENER-it i është përkushtuar një fushë në vete meqë numri i propozim-ligjeve të publikuara ka qenë i vogël, por tani, sipas analizave të dokumentuara në Strategjinë e re, në ENER publikohen përafërsisht 86% të propozim ligjeve.

Megjithatë, në Strategji thuhet se ende ekzistojnë shembuj të shmangies së ENER-it dhe vendosjen e propozim-ligjit në rend dite në seancë qeveritare.

Me Strategjinë, parashikohet që të lidhen në mënyrë elektronike sistemet e-seancë të Qeverisë dhe ENER-it; të publikohen aktet e propozim-ligjimeve për konsultim me palët e përfshira jo vetëm në ueb-faqen e organit ose organizatës i cili e miraton, por edhe në ENER; por edhe të publikohen propozim-tema për diskutim në ENER për çështjet aktuale të cilat janë me interes publik.

Identifikimi i fushave të reja për ngritjen e transparencës së institucioneve

Përveç vazhdimit të realizimit të objektivave nga strategjia paraprake, Strategjia 2023-2026 parashikon edhe objektiva të reja të cilat kanë për qëllim të rrisin transparencën financiare dhe fiskale, por edhe të bëhen investime në zhvillimin e kuadrit të teknologjisë informatike.

Ndër objektivat që synojnë transparencën financiare dhe fiskale të institucioneve janë mbindërtimi i veglës për llogaridhënie të shpenzimeve të bartësve të funksioneve publike. Kjo vegël ekziston prej më herët mirëpo në strategjinë e re parashikohet që në bazë të Kodit Etik në qoftë se mungojnë të dhënat në këtë faqe, personat përkatës të mund të thirren në përgjegjësi. Gjithashtu, parashikohet që të zgjerohet lista e të dhënave që duhet të ngarkohen në këtë faqe, gjegjësisht të shtohen të dhënat për udhëtime, pranim të mysafirëve, konferenca, përdorim të kartelës bankare zyrtare dhe përdorimi i avionit të qeverisë.

Strategjia, parashikon hapjen digjitale të Fondit për Sigurim Shëndetësor në portalin Financa të Hapura, kjo nënkupton që vetë shoqatat e pacientëve të mund të kyçen direkt në mbikëqyrjen e politikave shëndetësore dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Të dhënat për furnizime publike, institucionet i kanë të shpërndara secila në ueb-faqen e veta në formate të ndryshme. Kështu që, strategjia parasheh që këto të dhëna të bashkohen në një portal të vetëm, gjegjësisht në ueb-faqen për furnizime publike “e-nabavki“, ku do të kenë strukturë dhe format të njëjtë.

Strategjia ka objekti që të identifikohen të gjitha proceset ku funksionarët kanë të drejtë diskrecionale në vendimmarrje me qëllim që nëpërmjet vendosjes së parametrave dhe kritereve konkrete të ngushtohet fuqia diskrecionale dhe keqpërdorimi i saj. Në strategji parashikohet që funksionarët të obligohen, vendimet në bazë të të drejtës diskrecionale obligativisht të publikohet dhe sqarohen.

Funksionarët, në këtë rast, do të duhet t’i publikojnë të dhënat nga tatimet e mbledhura; të dhënat për disiplinën fiskale për krahasueshmëri, gjegjësisht nëse në të gjithë pjesët e Shkupit ekziston disiplina fiskale. Pos kësaj, duhet të publikohen edhe të dhënat për pagesën e rrymës, ujit dhe ngjashëm për institucionet dhe komunat si dhe aktet inspektuese nga inspektimet e zbatuara në subjekt. Strategjia, parasheh publikim e të dhënave për mënyrën e llogaritjes dhe lartësinë e kompensimeve për anëtarët e komisioneve , bordeve drejtuese dhe këshillave.

Një nga arsyet kryesore që pengon publikimin dhe përditësimin e të dhënave është fakti që institucionet nuk kanë kuadër të mjaftueshëm të fushës së teknologjisë informatike, derisa punonjësit tjerë nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të përdorur dhe mirëmbajtur sisteme të tilla elektronike.

Analiza e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) tregon se nga 48 institucione të pushtetit ekzekutiv, 23 prej tyre kanë deklaruar se nuk hasin në vështirësi gjatë publikimit dhe përditësimit të të dhënave në sistemet elektronike, përfshirë ueb-faqe dhe platformat tjera, mirëpo 25 kanë thënë se kjo procedurë është e ndërlikuar për ta, sidomos për t’i publikuar në formatin e nevojshëm.

Për këtë arsye, Strategjia ka caktuar disa objektive, nëpërmjet të cilave kërkon mes tjerash institucionet të digjitalizohen, të pajisen me resurse shtesë (njerëzore, teknike dhe financiare).

Mes tjerash kërkohet që institucionet të mos i përdorin apo përditësojnë të dhënat në mënyrë manuale, por nëpërmjet sistemeve përkatëse softuerike.

“Masa shtesë për rreth të favorshëm për zhvillim të produkteve dhe shërbimeve me shfrytëzimin e Open Data (me organizim të konferencave, punëtorive dhe/ose hakatonë për hulumtues, qarqet akademike, shoqërinë civile, programerët dhe ndërmarrësve)”, thuhet në Strategji.

Në Strategji, masë tjetër për institucionet ceket edhe promovimi i portalit dhe të dhënave të qasshme të hapura , përdorimin e mediave sociale, prani në ngjarje, organizim të ngjarjeve e kështu me radhë.

Me prioritet të publikohen edhe të dhënat të cilat janë të përcaktuara si minimum ligjor për të dhëna të hapura, thuhet në Strategji.

Gjithashtu, kërkohet që të formohet një task-forc ose grup punues i cili në Qeveri do t’i propozojë të dhënat me vlerë të lartë (High Value datasets) në pajtueshmëri me Direktivën e re dhe të njëjtat të konstatohen si të dhëna që duhet obligativisht të publikohen.

Për zbatim të suksesshëm të Strategjisë do të formohet grup punues i cili do të përbëhet me nga një përfaqësues nga Kabineti i Zv.kryeministrit të Qeverisë i ngarkuar për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, ministritë, sektori akademik, sektori civil, mediat dhe komuniteti i biznesit. Grupi punues, do të ketë për detyrë që vazhdimisht ta mbikëqyr zbatimin e strategjisë dhe do të ngrit iniciativa për ngritjen e vetëdijes dhe informimin për transparencën aktive. Gjithashtu, do të ketë detyrë që t’i këshillojë organet dhe organizatat e përfshira në Strategjinë për Transparencë për atë se si më së miri t’i plotësojnë obligimet e tyre.

Përveç këtij grupi, Fondacioni Metamorfozis është partner afatgjatë dhe do t’i mbështetë të gjitha proceset për përmirësimin e transparencës, të cilat më pas mund të shërbejnë si pikënisje për vazhdimin apo krijimin e strategjisë vijuese.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.

Fondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Maqedonia e Veriut RMVQeveria e Maqedonisë së VeriutRrjeti Action See - MetamorfozisTransparencë institucionale