RMV, termocentralet me qymyr vazhdojnë të na helmojnë, emetimet e sulfurit për 5,7 herë më të larta se vitin e kaluar

Ndotja me dioksid të sulfurit, pluhur dhe okside të azotit nga termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor vazhdoi edhe në vitin 2023, tregon kështu raporti i fundit Comply or close“ i publikuar nga Bankwatch. Në vitin 2023, gjashtë vjet pas hyrjes në fuqi të rregullave për kontroll të ndotjes përmes Marrëveshjes për Komunitetin Energjetik, ndotja me dioksid të sulfurit nga termocentralet me qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi vazhdoi të ishte për 5,7 herë më e madhe se nivelet e lejuara, që paraqet një hap prapa krahasuar me vitin 2022 kur ishte për 5,6 herë mbi nivelin e lejuar, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Raporti tregon se vitin e kaluar ndotja me pluhur ka qenë 1,75 herë mbi nivelin e lejuar, një dallim ky shumë i vogël me nivelin e regjistruar në vitin 2022 kur ishte 1,8 herë mbi nivelin e lejuar. Emetimet e oksideve të azotit gjithashtu kanë qenë 1,3 herë mbi nivelin e lejuar, ndërsa vitin e kaluar për herë të parë Serbia iu bashkua Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës në tejkalimin e limitit kombëtar për oksidet e azotit. Maqedonia e Veriut mbeti i vetmi vend që ende nuk e kalon këtë limit.

“REK Manastiri mbetet një nga ndotësit më të mëdhej me dioksid të sulfurit në Evropë. Oxhaqet e bllokut 1 dhe 2 janë një pjesë e atyre që i tejkaluan vlerat kufitare vjetore të lejuara të emetimeve të SO2” për më shumë se 10 herë, grup në të cilin bëjnë pjesë edhe Ugleviqi dhe Kakanj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kostolaci A2 në Serbi”, thonë nga organizata ekologjike Eko Svest.

Emetimet e dioksidit të sulfurit nga termocentralet me qymyr sipas PKZE të Maqedonisë së Veriut, krahasuar me limitet kombëtare, 2018-2023. Foto: Bankwatch, Raporti “Comply or close”

Theksojnë se Sekretariati i Komunitetit Energjetik ka hapur disa raste për shkeljen e detyrimeve nga Marrëveshja për të gjitha shtetet që kanë Plane Kombëtare, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut, por asnjë qeveri nuk ka marrë masa dhe nuk ka gjobitur asnjë nga operatorët e termocentraleve. Gjithashtu, asnjë nga shtetet nuk ka plane të azhurnuara dhe reale për harmonizimin e vlerave kufitare të ndotjes ose për mbylljen e termocentraleve të vjetra.

“Qeveritë dhe operatorët janë të vendosur që ta shtrydhin çdo kilovat të mundshëm të energjisë elektrike nga termocentralet e tyre të vjetër, pa dallim të pasojave shëndetësore nga kjo gjë. Planet kombëtare për energjinë dhe klimën duhet të japin udhëzime të qarta për heqjen nga përdorimi të qymyrit, por deri më tani nuk po e bëjnë një gjë të tillë. Në Maqedoninë e Veriut mbyllja e planifikuar e termocentraleve po shtyhet, ndërsa nuk po ndërmerret asnjë hap për zvogëlimin e ndotjes që ato e shkaktojnë. Operatorët nuk guxojnë të sillen në këtë mënyrë – centralet duhet ose të mbyllen ose tu përmbahen rregullave për kontrollin e ndotjes“, tha Davor Pehçevski, Koordinator për energjinë në Ballkanit në Bankwatch.

Emetimet e pluhurit nga termocentralet me qymyr sipas PKZE të Maqedonisë së Veriut, krahasuar me limitet kombëtare, 2018-2023. Foto: Bankwatch, Raporti “Comply or close”

Sipas Zharko Koneskit, koordinator i programit për energjinë në Eko-Svest, gjetjet nga raporti janë jashtëzakonisht shqetësuese, sidomos sa i përket pjesës se emetimet nga termocentralet nuk maten aspak, por përllogariten vetëm përafërsisht.

“Termocentralet janë të detyruara të bëjnë matje të vazhdueshme të ndotjes që e shkaktojnë, por as ai obligim nuk përmbushet. Është e qartë se vazhdon të planifikohet hapje e minierave të reja të qymyrit, me çka investimet bëhen në atë drejtim në vend në drejtim të zvogëlimit të ndotjes dhe transformimit të energjisë. Është e nevojshme që të përshpejtohet zëvendësimi gradual dhe fazor tashmë i planifikuar i pajisjeve të vjetruara me zgjidhje teknologjike inovative në tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, thotë Koneski.

Kujtojmë se rrjeti global i organizatave joqeveritare ekologjike “Benkvoç” me seli në Pragë në raportin më të ri përsëri thekson rritjen e ndotjes nga qymyri në vendet e rajonit, që vjen nga funksionimi i termocentraleve të vjetruara. Në raport, ekoaktivistët theksojnë se ndotja e ajrit me dioksid squfuri është rritur, dhe shkarkimet e pluhurit dhe oksideve të azotit janë mbi nivelin e lejuar. Ilustruar me shifra, emetimet e dioksidit të squfurit në vendet e Ballkanit Perëndimor janë 5,7 herë më të larta se niveli i lejuar, gjë që shkel drejtpërdrejt rregullat e kontrollit të ndotjes të përcaktuara nga Marrëveshja e Bashkësisë Energjetike.

Meta.mkNdotja e ajrit - ajër i ndoturTermocentral(e)Termocentrali REK - TEC Manastir