RMV-së urgjentisht i duhet Kod i ri Penal për të zbutur dëmet që lanë rastet e vjetëruara të korrupsionit të lartë

Ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 patën efekt të dëmshëm në sistemin e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut dhe në rezultatin e procedimeve penale në lidhje me rastet gjyqësore të korrupsionit të lartë, pasi shumica e tyre u ndërprenë për shkak të vjetërsimit. Ekspertët në Konventën Nacionale për BE në RMV, thonë se nevojiten mekanizma ligjorë për të zbutur pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore të miratuara më datë 7 shtator 2023, që rezultuan me lirim nga akuzat të shumë ish-funksionarëve, transmeton Portalb.mk.

Mileva Gjurovska, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi se sipas raporteve të BE-së, vendi ynë është shumë i mirë në shkrimin e ligjeve, por jo në zbatimin e tyre.

“Ne kemi ligje evropiane, por nuk kemi përditshmëri evropiane. Për situata të tilla përgjegjësinë e ka edhe sistemi i drejtësisë, i cili tregon vullnet të dobët për ta vendosur pushtetin ekzekutiv në kuadër të ligjshmërisë”, tha Gjurovska.

Aleksandra Deanoska Trendafilova, profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” theksoi pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore në Kodin Penal të datës 7 shtator 2023 dhe për këtë arsye tha se është e nevojshme që urgjentisht të përgatiten ndryshime të reja në Kodin Penal.

Qeverisë së re tani duhet t’i lihet hapësirë ​​për të parë se si do të veprojë sa i përket premtimeve parazgjedhore, tha Muhamed Halili nga Këshilli i Ambasadorëve i cili bëri një retrospektivë të ndryshimeve në Kodin Penal.

Kristian Duku, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës për Kërkime të Avancuara në Menaxhimin dhe Etikën e Aplikuar nga Bukureshti ndau shembullin e Rumanisë, duke theksuar se Kodi Penal Rumun pësoi qindra ndryshime pas vitit 2017, të cilat i shkaktuan dëm sistemit të drejtësisë.

Sipas tij, koncepti i shpërdorimit të detyrës duhet të diskutohet.

“BE flet për abuzim me pushtetin dhe më pak për shpërdorim detyre. A duhet të kufizohet te nëpunësit civilë apo duhet të përfshijmë politikanët dhe drejtorët e shkollave publike pasi edhe ata kanë kompetenca. Ka një interpretim tjetër në pushtetet”, tha Duku duke shtuar: Edhe ne dhe, edhe ju duhet të luftojmë çdo ditë për të pasur ligje të drejta sepse qytetarët e kërkojnë nga ne, sepse ne jemi rojtarë të interesit publik”.

Gjyqtarja në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Olja Ristova, reagoi mbi atë se pse është dashur të ndërhyhet në ligjin për uljen e dënimeve gjyqësore, si dhe pse nuk është konsultuar grupi punues që ka punuar për ndryshimet ligjore për ndryshimet.

Emanuele Biritieri, asistent profesor i së drejtës penale nga Katedra e Drejtësisë dhe Ekonomisë në Universitetin e Romës “Unitelma Sapienza” foli për rregulloren italiane për abuzimet me postet publike, duke vënë në dukje numrin e vogël të gjykimeve në këtë fushë.

Lidija Raiçeviq, prokurore publike në Prokurorinë Themelore Publike Shkup tha se është kundër uljes së dënimeve. Ajo theksoi se prokurorët dhe gjyqtarët kanë forcën të qëndrojnë pas drejtësisë. Raiçeviq propozoi ndryshimin e ligjit aktual dhe shtrëngimin e gjobave për luftë efektive kundër korrupsionit.

Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, foto Portalb.mk

Shembull i ndikimit të këtyre ndryshimeve në lëndët gjyqësore më të mëdha, është ai ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov. Ai e pranoi fajësinë për rastin “Perandoria” në marrëveshje me Prokurorinë Publike dhe u dënua me tre vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, siç pretendonte fillimisht kryetarja e PNKOK, Vilma Ruskovska, prej 30 milionë eurosh. Më vonë, pasuria e tij u vlerësua pothuajse në dyfishin e kësaj shume. Ish-kreu i DSK-së akuzohej për veprat e bashkimit kriminal dhe marrjes dhe fshehjes së paligjshme të pasurisë.

Drejtori ekzekutiv i Koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, Darko Avramovski, iu referua dobësive aktuale në sistemin e drejtësisë, ku foli për faktin se prokuroritë në qytetet më të vogla nuk kanë ekipe hetimore dhe kapacitet për t’u marrë me krimet e korrupsionit të lartë.

“Ne duhet menjëherë të tregojmë iniciativë se nuk jemi dakord me ndryshimet e bëra. Kjo na shqetëson. Duhet të jemi më të zhurmshëm dhe të bëjmë presion”, tha Avramovski.

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga para nëntë muajve paralajmëroi prezantimin e ndryshimeve, por kjo nuk ndodhi. Miratimi i tyre në shtator të vitit 2023, pa debat paraprak publik dhe pa transparencë, e thelloi edhe më tepër mosbesimin e qytetarëve në institucione, sidomos në sektorin e gjyqësorit, i cili edhe ashtu është në fund të listës.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej  për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.

Dënim(e)Eurointegrime Negociata RMV-BEKeqpërdorim i pozitës zyrtareKeqpërdorim tenderiKodi PenalReforma ne gjyqësor – drejtësi