RMV, racioni i subvencionuar: 30.000 studentë morën para për ushqim, pazar kanë bërë kryesisht në supermarkete

Pothuajse 30.000 studentë këtë vit shkollor kanë qenë të regjistruar si shfrytëzues të racionit të subvencionuar të studentëve, tregojnë të dhënat që Meta.mk i ka siguruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) – institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj mase. Studentët në përgjithësi janë të kënaqur me projektin, por thonë se rritja e shumës aktuale është më se e mirëpritur. Sot është dita e fundit për shfrytëzimin e mjeteve nga kjo masë, e cila do të vazhdojë sërish nga muaji tetor. Partia e re në pushtet ka paralajmëruar rritje të subvencioneve, por nuk dihet nëse dhe kur do të realizohet kjo rritje, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Në muaj, në ditë e pastaj në javë

Nga e hëna deri të shtunën, përveç ditëve të festave shtetërore, studentët në Maqedoni marrin nga 140 denarë në ditë – subvencione për ushqim nga shteti. Këto mjete u derdhen në kartela të specializuara me të cilat ata më pas i paguajnë në hotelierët dhe tregtarët që pranojnë kartela pagesore të tilla.

Kartelat pagesore të cilat i morën shfrytëzuesit e racioneve të subvencionuara të studentëve janë prodhuar nga Sparkasse Banka – banka përgjegjëse për transaksionet e pagesave të kësaj mase.

Deri vitin e kaluar, studentët këto mjete i merrnin në llogaritë e tyre bankare në bazë mujore, dhe të cilat mund t’i tërhiqnin edhe si para në dorë, kështu që përveç ushqimit i përdornin për të blerë edhe mallra të tjera.

Nga ky vit akademik, paratë derdhen në kartelat e specializuara dhe nuk mund të nxirren si para, ndërkohë që janë vendosur kufizime se ku mund të paguhet me to. Me këto mjete studentët mund të blejnë ushqime vetëm nga tregtarët që prodhojnë ose shesin ushqim, si restorante, furra buke, fast food dhe markete, të cilat mundësojnë pagesën përmes terminaleve POS. Nga ana tjetër, ato nuk mund t’i  përdorin ato tek tregtarë të ushtrojnë veprimtari të tjera- si dyqanet për veshje, pikat e karburantit ose në farmaci.

Në muajin tetor, me fillimin e vitit akademik, studentët i merrnin këto mjete në bazë ditore – kishin limit ditor prej 140 denarë, të cilat nëse nuk i shfrytëzonin në ditën e paraparë i humbasin dhe të nesërmen sërish merrnin të njëjtën shumë.

Pas presioneve dhe reagimeve nga studentët dhe përfaqësuesit e tyre zyrtar – parlamentet studentore universitare, mënyra e pagesës së subvencioneve u ndryshua. Nga 1 marsi, në vend në bazë ditore, mjetet për këtë masë paguhen një herë në javë- për gjashtë ditë në javë. Pra, çdo student që merr mjete për racion të subvencionuar në kartelën e tij merr një buxhet javor prej 840 denarë.

Racion i subvencionuar i studentëve. Foto ilustrim: Meta.mk

Kryesisht blihet nëpër supermarkete

Rreth 86 përqind e studentëve janë përgjigjur se mjetet e racionit të subvencionuar më së shumti i shfrytëzojnë për të bërë pazar nëpër supermarkete, tregon anketa e realizuar në Instagram nëpërmjet faqes  Studentarija. të cilës i janë përgjigjur më shumë se 5.000 studentë. Pjesa tjetër, rreth 6 përqind kanë thënë se më së shumti blejnë në dyqane dhe kioska më të vogla dhe 5 përqind janë përgjigjur se me kartelat studentore  kryesisht paguajnë në furra buke dhe restorante.

Meqenëse shumica e marketeve dhe dyqaneve pranojnë pagesa me këto kartela, studentët herë pas here blejnë edhe produkte të tjera përveç ushqimit.

Sipas anketës më pak se gjysma e studentëve (42 përqind) e shpenzojnë shumën e plotë ekskluzivisht për blerjen e ushqimeve. Pyetjes “sa përqind të mjeteve në baza javore keni përdorur për të blerë ushqime”, 33 përqind i janë përgjigjur se për ushqim kanë ndarë 80 deri në 99 përqind të shumës javore, ndërsa 25 përqind kanë thënë se për ushqim kanë ndarë më pak se gjysmën e buxheti i përgjithshëm javor prej 840 denarë.

Kartela të refuzuara, studentë të turpëruar

Studentët në përgjithësi janë të kënaqur me zbatimin e masës së racioneve të subvencionuara të studentëve. Atyre “nuk u pëlqen” që nuk mund t’i tërheqin mjetet si para si vitin e kaluar, por vendosja e limitit javor në vend të limitit ditor ua lehtëson situatën.

Megjithatë, në anketë ata reagojnë për disa sfida me të cilat janë përballë gjatë aplikimit dhe përdorimit të mjeteve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës çdo muaj publikonte një thirrje të re për studentët që nuk e kishin shfrytëzuar më parë të drejtën e racionit të subvencionuar dhe studentët thonë se procesi i shqyrtimit dhe miratimit të aplikacioneve zgjat shumë – më shumë se një muaj. Një student që ka aplikuar në shkurt dhe që i plotëson kushtet, miratimin e merr deri në fund të muajit mars, kështu që ai i humbet mjetet për më shumë se një muaj.

Disa nga studentët thonë se disa markete dhe objekte hotelerike nuk i pranojnë pagesat as me kartela ushqimore, pavarësisht se kanë terminale POS. Aty ku pranohen ndonjëherë ndodh që pagesa të mos mund të realizohet edhe pas disa tentativave, kështu që studentët duhet të nxjerrin para nga xhepi i tyre ose të largohen të turpëruar duke i lënë produktet në market.

“Në disa markete ndodh edhe nga disa herë që kartelat të mos kalojnë, kështu që në këtë rast duhet të paguajmë me paratë tona ose të largohemi të turpëruar”, thuhet në një nga dhjetëra përgjigjet e ngjashme në anketë.

Ata shtojnë edhe se aplikacioni bankar jo gjithmonë e tregon gjendjen e saktë të llogarisë, ndaj duhet të mbajnë shënime se kur dhe sa shpenzojnë, për të mos kaluar limitin.

A do të rriten subvencionet për ushqim nga muaji tetor?

Edhe pse janë të kënaqur, studentët e pranojnë se është e nevojshme një rritje e mjeteve që i marrin mbi këtë bazë, sidomos për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në krahasim me një vit më parë.

Disa studentë thonë se është e nevojshme që shuma ditore të rritet në 200 denarë, ndërsa të tjerët do të ishin të kënaqur edhe me një mijë denarë në javë (rreth 170 denarë në ditë).

Ata mendojnë edhe se do të ishte mirë që mjetet që nuk do t’i  shfrytëzojnë gjatë një jave të caktuar, në vend që të tërhiqen në arkën e shtetit t’u mbeten në dispozicion javën e ardhshme.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Meta.mk thanë se për shkak të mosshfrytëzimit të të gjitha mjeteve nga studentët, çdo muaj në llogarinë shtetërore kthehen 10 deri në 15 përqind nga shumat e paguara.

Racionet e subvencionuara të studentëve u përfshinë në programet parazgjedhore të disa partive politike që tashmë janë pjesë e Kuvendit. Në mesin e tyre është edhe partia e re në pushtet – VMRO-DPMNE, e cila në programin e saj parazgjedhor ka paralajmëruar “racion dinjitoz për studentët” dhe “rritje të shumës” pa specifikuar se si do të ndryshohet masa dhe kur dhe sa do të rriten subvencionet.

Kjo masë do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitin e ri akademik, i cili do të fillojë në tetor. Deputetët e vjetër dhe të rinj në Kuvend e kanë gjithë verën në dispozicion për të treguar nëse dhe sa janë të rëndësishëm për ta studentët dhe të rinjtë, të cilët i përmendën shumë në programet e tyre parazgjedhore dhe mitingje partiake, duke e kërkuar votën dhe mbështetjen e tyre në zgjedhje.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)StudentëTë rinj - Rini - Rinia