RMV, propozim-ligji për amnisti shkon në Kuvend

Propozim-ligji për amnisti pas pajtimit të institucioneve kompetente shkon në procedurë parlamentare. Ligji parashikon uljen e dënimeve për ata që kanë kryer krime të lehta. Në seancën e fundit qeveria shqyrtoi ligjin e propozuar, ndërsa parashikohet që të dënuarit deri në 6 muaj të lirohen nga burgu dhe pjesa tjetër të ulet 30 për qind e dënimit. Ka përfunduar koordinimi me sektorin e legjislacionit, siç tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndër të tjera, për trajtimin e të dënuarve jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Drejtësisë në dy ditët e ardhshme do të japë informim të detajuar me përfaqësuesit e mediave për këtë ligj, i cili në të njëjtën kohë do të dorëzohet në Kuvend”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Amnistia nuk vlen për personat që kanë kryer veprat që i nënshtrohen amnistisë pas datës 1 shtator 2023. Nga gjithsej 2114 të burgosur, 286 prej tyre do të marrin amnisti të plotë dhe 996 do të marrin amnisti të pjesshme. Ministria e Drejtësisë njoftoi se nuk ka amnisti për krimet e rënda si vrasje dhe krime kundër shtetit, zgjedhje, grabitje, dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore. Gjithashtu janë hequr edhe veprat që i nënshtroheshin ndryshimeve në Kodin Penal.

Qëllimi është që të mundësohet risocializimi i autorëve të krimeve dhe lehtësimi në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke pasur parasysh faktin se situata atje në periudhën e kaluar është alarmante dhe kjo është theksuar në raporte të shumta ndërkombëtare si dhe nga komisioni kundër torturës në kuadër të Këshilli i Evropës”, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

Ligji nuk ka marrë mbështetje nga opozita VMRO-DPMNE, ndërsa lideri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se jo vetëm që nuk do ta përkrahë, por do ta bllokojë me mjete demokratike.

“Ligji që është propozuar dhe është në dispozicion të publikut është Ligji për amnistinë e kriminelëve për të cilët parti të caktuara politike në të kaluarën kanë premtuar se do të lirohen tërësisht ose pjesërisht. Fatkeqësisht, ato parti politike, apo një pjesë e atyre partive politike, sot janë nga qeveria dhe e shihni që një ligj i tillë nuk iu përgjigj, por fjalë për fjalë as nevojave, as pritjeve të qytetarëve dhe në emër të kësaj VMRO-DPMNE-ja jo vetëm që nuk e përkrah këtë ligj për amnisti, por edhe përmes mjeteve demokratike do ta bllokojë”, tha Mickoski.

Ministria e Drejtësisë e më 13 shtator njoftoi se ka përgatitur propozim-ligjin për Amnisti, me të cilin bëhet i mundur lirimi dhe ulja e dënimit me burg për veprat penale të lehta. Me ligjin propozohet, personat të cilët janë dënuar me dënim burg deri në gjashtë muaj, tërësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit. Ata, të cilët janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj, lirohen nga vuajtja e 30% të dënimit total të shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.

Amnistimi nuk vlen për personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve” nga neni 353, “Punë të papërgjegjshme në shërbim” nga neni 353-c, të gjithë nga Kodi Penal, për krime kundër rendit publik nga nenet 394 deri në 394-d të Kodit Penal, si dhe për krimet e kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

  • Amnistia nuk vlen për personat që i kanë kryer veprat që i nënshtrohen amnistisë pas datës 1 shtator 2023.
  • Amnistia nuk vlen për personat të cilët në kohën e kryerjes së veprave janë zgjedhur dhe emëruar persona në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
  • Amnistia nuk vlen për personat e dënuar ligjërisht për të cilët, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është lëshuar urdhërarrest për shkak se janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

AmnistiDimitar KovaçevskiKrenar LlogaMinistria e Drejtësisë (MD)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut