RMV, Prokuroria hapi lëndë ndaj drejtorit të ri të ASK-së, pas një denoncimi anonim për falsifikim dokumenti

Prokuroria konfirmoi se ka marrë denoncim anonim me pretendimin se Bojan Hristovski, drejtori i ASK-së, ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme për të plotësuar kushtet dhe për t’u emëruar drejtor i shërbimit sekret. Denoncimi i referohet certifikatës së Hristovskit TOEFL nga shkolla bullgare “Julia”, ndërsa certifikatat nga “Julia” tashmë janë shpallur false në procedurat gjyqësore në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë ditës së djeshme është pranuar një denoncim nga një parashtrues anonim, pas së cilës konform dispozitave ligjore është hapur rasti dhe i është caktuar një prokurori për punë”, u përgjigjën nga prokuroria për TV Telma.

Ky është hetimi i parë paraprak në prokurori për Hristovskin dhe emërimin e tij për shkak të dyshimeve se nuk i plotëson më shumë kushte për mbajtjen e pozitës më të lartë të sigurisë në vend.

Prokuroria fillimisht kishte paralajmëruar se do të presë vendimin e Komisionit Kundër Korrupsionit, ndërsa kryeministri Mickoski ishte në pritje të vendimit të KSHPK-së. Nga ana tjetër, KSHPK-ja nuk ka kompetenca dhe mekanizma ligjorë për veprime hetimore dhe tha se të gjithë mund t’i kryejnë hetimet dhe detyrimet e tyre sipas kompetencave ligjore.

Lideri i opozitës Venko Filipçe ka shfaqur dokumente në Kuvend në të cilat, sipas tij, shihet se Hristovski nuk e përmbush kushtin kyç për pozitën, përkatësisht nuk ka përvojë 5 vjeçare në pozita drejtuese në institucionet e sigurisë. Filipçe po ashtu tha se drejtori i ASK-së nuk duhet të ketë kryer vepër penale dhe se ai duhet të shkarkohet.

Kryeministri Mickoski u përgjigj se përvoja nga lista e kushteve nuk është kyçe në të gjithë rastin, por frika e disa strukturave është te disa pjesëtarë të shërbimeve, të cilët, sipas tij, në periudhën paraprake si opozitar e kanë ndjekur me dronë. Mickoski ka nxjerrë edhe një grumbull dokumentesh të cilat sipas tij janë certifikata gjuhësore të anëtarëve të opozitës aktuale apo drejtorëve nga koha e qeverisjes së LSDM-së.

Ndryshe, Hristovski në biografinë e tij zyrtare ka deklaruar se në mars të vitit 2022 ka marrë certifikatën e anglishtes TOEFL nga kompania “Julia CO LTD” nga Plovdiv, Bullgari. Më 9 tetor të këtij viti, dy drejtoresha të institucioneve publike u dënuan me burgim me kusht, pasi kur aplikuan për këtë pozicion, ata paraqitën certifikata TOEFL të lëshuar nga e njëjta kompani e lëshuar në nëntor dhe dhjetor 2022 si dëshmi e njohurive të tyre të gjuhës angleze. Aktakuzës i ka paraprirë kallëzimi penal nga MPB-ja për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë, i paraqitur më 14 shkurt, në periudhën kur ky dikaster drejtohej nga Pançe Toshkovski si ministër teknik.