RMV, pas ngjarjeve në Serbi, MASh organizoi takim me pedagogë, psikologë dhe profesorë në fushën e sigurisë dhe dhunës kibernetike

Pas dy vrasjeve masive në Serbi, të cilat ndodhën brenda 48 orëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë (MASh) njoftoi se sot do të mbajë takim me profesorë universitarë nga fusha e pedagogjisë, psikologjisë, sociologjisë, sigurisë dhe dhunës kibernetike dhe të tjerët. Ngjarjet në fqinjësi, thonë nga Ministria e Arsimit, përfshinë një alarm serioz se angazhimi dhe shqetësimi individual për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve duhet të ngrihet në një nivel edhe më të lartë, transmeton Portalb.mk.

“Si krijuese e politikave arsimore, Ministria e Arsimit, së bashku me Qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera të interesuara, në përputhje me kompetencat e tyre, menjëherë fillojnë rishikimin e komponentit arsimor të sistemit arsimor, mekanizmave për zbulimin e sfidave dhe formave të mbështetjes për nxënësit dhe familjet. Presim mbështetje nga të gjitha palët e interesuara, opinioni ekspert, sektori civil dhe joqeveritar, komuniteti i biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët deri më tani kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor, dhe parandalimi i dhunës së bashkëmoshatarëve dhe jo bashkëmoshatarëve e kështu me radhë”, thonë nga MASh.

Nga aty shtojnë se sistemi arsimor luan rol parësor në ndërtimin e të rinjve dhe se çfarë brezash do të krijojmë, thotë MASh, varet vetëm nga shërbimet mësimore dhe profesionale në shkolla.

Konkluzionet dhe rekomandimet nga takimi i sotëm do të shpallen pas përfundimit të tij dhe ato, thonë nga Ministria e Arsimit, do të jenë një hap fillestar për ngritjen e kujdesit institucional për rritjen dhe zhvillimin e duhur të të rinjve.

Në më pak se 48 orë në Serbi kanë ndodhur dy vrasje masive.

E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues.

Vrasja e dytë masive ndodhi mbrëmë në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjesin e sotëm pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeVrasje - Ekzekutim
Comments (0)
Add Comment