Qeveria e RMV-së hoqi funksionin “drejtorë ekonomikë” të spitaleve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori sot vendim për shfuqizimin e drejtorëve ekonomikë në institucionet publike shëndetësore, përkatësisht shfuqizoi ekzistimin e dy pozitave drejtuese: drejtorëve organizativ dhe atyre mjekësor, të cilat deri më tani ishin të pranishme në qendrat shëndetësore me mbi 1000 të punësuar, qendrat klinike universitare, klinikat universitare, spitalet klinike dhe institutet, transmeton Portalb.mk. Nga sot, në këto institucione do të ketë vetëm një drejtor.

“Në këtë mënyrë do të shmanget dualizmi dhe përgjegjësia do të vendoset saktësisht në menaxhimin e institucioneve. Po ashtu, në këtë mënyrë realizohet edhe një premtim tjetër nga programi i Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari paralajmëroi revizion të punës së të gjitha klinikave dhe ndërrime të reja në poste drejtoresh, por thotë se nëse konstatojnë se një drejtor e ka kryer mirë detyrën, ai do të mbetet në detyrë. Fokusi i ministrisë në vitin e ardhshëm, sipas ministrit, është ende bashkimi i klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore në një spital të përgjithshëm në çdo qytet dhe digjitalizimi i shëndetësisë.

Taravari po ashtu bëri të ditur se këtë javë do të fillojnë me emërime të reja në pozita drejtoresh, përveç në Klinikën e Toksikologjisë dhe Onkologjisë, ku tashmë ka drejtues të rinj. Ish-ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti është drejtor i ri i Neurologjisë, Andon Çibishev i Toksikologjisë. Taravari ka shkarkuar dhjetëra drejtorë ekonomikë, mes tyre edhe Besija Ilazi nga Klinika e Toksikologjisë. Ai thotë se prioritet do të jetë edhe zgjidhja e situatës në Onkologji. Ai paralajmëroi edhe vende të reja pune në shëndetësi.

Arben TaravariMinistria e Shëndetësisë (MSH)Qeveria e Maqedonisë së Veriut