RMV, premtime për paga më të larta në arsim, përkohësisht u zgjidh çështja e librave për klasat e shtata

Ministria e Arsimi dhe Shkencës sot ka bërë një sërë njoftimesh mbi planet dhe ndryshimet që do të ketë në arsim. Ministrja Vesna Janevska, premtoi se do të përpiqen për të mundësuar rritjen graduale të pagave dhe deri në fund të mandatit do të nënshkruajnë edhe marrëveshje të re kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm. Në ditarin e Sitelit, ajo informoi se tashmë me Sindikatat e Pavarura për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka diskutuar për mundësitë për avancimin e statusit të mësimdhënësve dhe sigurimin e pagave më të larta, transmeton Portalb.mk.

Janevska po ashtu theksoi se MASH aktualisht është duke u konsultuar me mësimdhënësit nëse do të kenë vetëm ditar elektronik apo do ta kthejnë ditarin në letër nga viti i ardhshëm shkollor.

„Para disa ditësh ka përfunduar projekti për përgatitjen e ditarit të ri elektronik dhe tashmë është në dispozicion të MASH-it. Kuptova që ka mbrojtje të mirë, që të mos fshihen notat dhe mungesat. Por ne jemi duke bërë anketë mes mësimdhënësve , duan vetëm ditar elektronik apo ditar në letër. Ne do të veprojmë ashtu siç deklarojnë ata, por mendimi im është se ende duhet të ketë formë të shkurtuar, të shtypur të ditarit për shënime”, tha Janevska.

MASH: Më 1 shtator do të ketë tekste shkollore për arsimin fillor

Ministrja gjithashtu paralajmëroi se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të kenë tekste shkollore më 1 shtator, me përjashtim të disa lëndëve të cilat udhëheqësia paraprake në ministri nuk siguruan dhe mund të vonohen  me përpilimin e tyre.

Edhe pse paraprakisht  tha se për klasën e shtatë nuk mund të ketë tekste shkollore në bazë të programit të ri, më vonë përmes një kumtese MASh njoftoi se edhe nxënësit e klasave të shtata do të kenë tekste shkollore nga shtatori, pasi MASH dhe BZHA gjetën zgjidhje të përkohshme.

“Pas disa ditësh bisedime, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit gjetën zgjidhje për procesit edukativo – arsimor të pandërprerë për nxënësit e klasës së shtatë. Nga shtatori nxënësit do të mund t’i shfrytëzojnë tekstet shkollore të cilat janë përdorur deri më tani, me materiale shtesë që do të përgatiten nga Byroja për temat që u mungojnë, ndërsa është planifikuar që të mësohen këtë vit. Për këtë qëllim është sjellë vendim që të shtyhet implementimi i Konceptit për arsimin fillor, në klasat e shtatë, tetë dhe të nëntë“, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës falënderon drejtorin e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Abdulfeta Fetai, dhe të gjithë ata që morën pjesë në procesin e gjetjes së zgjidhjes, dhe pret vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në interes të nxënësve dhe edukimin e tyre cilësor.

“Ju njoftojmë se do të ketë tekste shkollore krejtësisht të reja për klasën e shtatë nga viti shkollor 2025-2026. Nëse Koncepti i Arsimit Fillor i cili është në proces rishikimi, sipas mendimeve të mësimdhënësve dhe palëve të tjera të interesit në procesin edukativo-arsimor, ndryshohet dhe ka nevojë, do të përgatiten programe të reja mësimore  edhe për klasat e  tjera”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Problemi kryesor, potencoi ministra, janë tekstet shkollore të gjuhëve të huaja të cilat mungojnë vite me radhë dhe ata nuk do të përpilohen për asnjë klasë në arsimin fillor deri më 1 shtator.

Ndërsa në arsimin e mesëm, po bëhen përpjekje për shtypjen e rreth 120 teksteve shkollore të cilat do të shfrytëzohen në shkollat e mesme ​​profesionale.

Ligj i ri për Arsimin e Mesëm

Ministria njoftoi se është duke u përgatitur  Ligj i ri për Arsimin e Mesëm, në të cilin do të parashihen dispozitat për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për kotizim  për pjesëmarrje në olimpiada shkencore ndërkombëtare.

“Shumë shpejt, propozim-ligji do të dorëzohet në Qeveri, më pas në Kuvend, ku presim edhe  mbështetjen e të gjithë deputetëve, përfshirë edhe deputetët e partisë politike që sot i thirri në Ministri”, thuhet në njoftim

Zgjidhja e dytë, nga ana tjetër, është ndërhyrje për situatën specifike. Në mungesë të rregullimit ligjor për veprim të drejtpërdrejtë, MASH-i pak ditë më parë iu drejtua komunitetit të biznesit dhe odave në Maqedoni me qëllim që sipas mundësisë, të ofrojnë sponsorizim për nxënësit e shkollave të mesme që të përfaqësojnë vendin në olimpiadat ndërkombëtare shkencore dhe presin informatë kthyese.

Kujtojmë se nota mesatare e arritur nga nxënësit e shkollave të mesme në maturën shtetërore këtë vit është 3.25, më pak se vitin e kaluar dhe një vit paraprak. Në vitin 2023 nota mesatare ishte 3,65, ndërsa në vitin 2022 ishte 3,78. Kjo, sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion kompetent për zbatimin e procesit, është rezultat i masave të rrepta gjatë provimit që janë marrë këtë herë.

LibraMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeSindikata për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK) RMVVesna Janevska