RMV, mbi 200 të rinj mbështetën Deklaratën për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe ndërtim të paqes

Mbi 200 të rinj nga qytete, komunitete dhe organizata të ndryshme javën e kaluar në Shkup miratuan Deklaratën Rinore për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe ndërtim të paqes, duke dërguar një mesazh të qartë se të rinjtë kërkojnë pjesëmarrje reale në vendimmarrje, institucione funksionale dhe kushte konkrete për një jetë dinjitoze dhe të ardhme në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Deklarata u miratua në Forumin Kombëtar Rinor “Jemi këtu për të qëndruar!”, i cili u mbajt në Shkup dhe bashkoi të rinj, institucione, vetëqeverisje lokale, organizata qytetare dhe partnerë ndërkombëtarë. Siç thuhet në kumtesën e organizatës HERA, dokumenti paraqet një thirrje të përbashkët për zbatim më të fuqishëm të Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, këshilla funksionale lokale rinore, llogaridhënie më të madhe institucionale dhe përfshirje të vërtetë të të rinjve në krijimin e politikave dhe prioriteteve lokale.

Theks i veçantë i është dhënë nevojës që të rinjtë të njihen si partnerë të barabartë në proceset vendimmarrëse, e jo vetëm si aktorë të konsultuar formalisht. Në deklaratë kërkohen institucione transparente, konsultime të rregullta rinore dhe mekanizma përmes të cilëve rekomandimet e të rinjve do të ndikojnë realisht në politikat dhe buxhetet.

“Të rinjtë janë forca shtytëse e çdo ndryshimi dhe prandaj është e rëndësishme të jenë të informuar, të edukuar dhe të përfshirë aktivisht në proceset shoqërore. Zona e gjelbër tregoi sa i nevojshëm është edukimi qytetar që ua rikthen të rinjve fuqinë për të marrë pjesë dhe për të kërkuar ndryshime. Njëkohësisht, është e rëndësishme të tejkalojmë hezitimin e të rinjve për angazhim publik dhe t’i inkurajojmë të luftojnë me zë të lartë për të drejtat e tyre themelore – ajër të pastër, ujë dhe mjedis të shëndetshëm”, deklaroi Anastasia Pavlovska, moderatore e zonës Green Voices Corner.

“Kur të rinjtë e fillojnë ditën të lodhur nga vonesat, autobusët e mbushur dhe linjat e paparashikueshme, atëherë flasim për një problem sistemor që ndikon drejtpërdrejt në qasjen e tyre në arsim dhe mundësi. Nëse arsimi është e drejtë, atëherë rruga drejt tij nuk duhet të jetë pengesë e përditshme”, tha Lejla Bekiri, moderatore në Culture and Identity Hub.

Nga zona Youth Power Lab, Borjan Eftimov theksoi: “Gjenerata jonë nuk duhet të jetë vetëm dëshmitare e gjendjeve, por duhet të jetë pjesë e ndryshimit të tyre. Qëndrimi ka kuptim vetëm nëse nënkupton pjesëmarrje, përgjegjësi dhe luftë për një shoqëri më të mirë.”

Forumi u organizua nga HERA – Asociacioni për edukim dhe hulumtim shëndetësor, në partneritet me Këshillin Kombëtar Rinor të Maqedonisë (KKRM), në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, dhe me mbështetjen e RYCO – Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor.

CTRL Z – CTRLZKëshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë KRNM- NMSMShoqata HeraTë rinj - Rini - Rinia