RMV, maturantët sot i nënshtrohen provimit për lëndën e parë eksterne

Me testin e gjuhës amtare, provimin e maturës shtetërore në vitin shkollor 2023-2024 e filluan gjithsej 14.834 nxënës. Me këtë rast, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i vizitoi dy shkollat e mesme te Strugës “Niko Nestor” dhe “Dr.Ibrahim Temo”, ku duke u uruar suksese maturantëve, theksoi se pret që procesi të realizohet  me sukses, sepse i njëjti është praktikë tashmë 16 vite, transmeton Portalb.mk.

„Risi  kryesore këtë vit është që nxënësit t’i nënshtrohen provimeve në kushte më të gjera hapësinore, gjegjësisht në hapsira më të mëdha dhe  salla të shkollave të tyre, ose në hapsira më të afërt të cilat posedojnë kushte të përshtatshme, në vend të klasave siç ishte deri më tani. Ideja është të sigurohet transparencë dhe objektivitet më i madh i procesit”, theksoi ministri.

Ministri gjithashtu u shpreh se ata të cilët janë  të  përfshirë si mbikqyrës dhe testues në maturën shtetërore, në këtë mënyrë e kanë më të lehtë kontrollin dhe mbikqyrjen e sjelljes së nxënësve gjatë provimit dhe siç potencoi ai pret që të mënjanohen përpjekjet për manipulimin dhe keqpërdorim  me metoda apo ndihma të caktuara gjatë plotësimit të testeve.

“Konform konceptit për maturën dhe provimin përfundimtar, nxënësit edhe këtë vit i nënshtrohen 2 lëndëve të jashtme, 2 lëndëve të brendshme dhe përgatisin  detyrë projektuese. Gjuha amtare është e detyrueshme për të gjithë dhe i nënshtrohen sot, ndërsa provimi i radhës do të jetë më 8 qershor. Rezultatet preliminare do të shpallen  më së voni më 8 korrik gjegjësisht 30 ditë pas nënshtrimit të provimit të fundit, pas së cilës do të vijojë mundësia e parashtrimit të kundërshtimeve”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), e cila organizon provimin e maturës shtetërore, për provimin në gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.088 kandidatë, për gjuhë dhe letërsi shqipe 4.189 dhe për gjuhë dhe letërsi turke 315 kandidatë.

Drejtoresha e QShP-së, Biljana Mihajlovska do të vizitojë shkollën e mesme të Shkupit “Orce Nikolov”.

Janë regjistruar 1356 kandidatë për matematikë, 13198 për gjuhë angleze, 37 për frëngjisht, 114 për gjermanisht, 84 për estetikë dhe nga një kandidat për gjuhë dhe filozofi ruse.

Sipas llojit të arsimit, 6341 maturantë janë të shkollave të mesme, 8230 të arsimit profesional dhe 263 të arsimit artistik.

Provimi do të mbikëqyret nga rreth 2000 testues – mësues të cilët janë të punësuar në shkolla të tjera, jo në shkollat ​​e tyre, si dhe rreth 200 vëzhgues nga QShP, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për Arsimi dhe Formimi Profesional.

Maturantët që nuk do të kalojnë maturën shtetërore në sesionin e qershorit, do të mund të regjistrohen në sesionin e gushtit kur do të jepen dy provimet eksterne në datat 12 dhe 14 gusht 2024.

Provimi i maturës shtetërore zbatohet që nga viti 2008, si detyrim ligjor dhe kusht për t’u regjistruar në ndonjë  institucion të arsimit të lartë. Këtë vit në proces janë përfshirë 2000 mësimdhënës  si testues dhe rreth 250 mbikqyrës nga institucionet shtetërore.

Matura shtetërore RMVMaturantëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Qendra Shtetërore e Provimeve RMV